Kur njeriu plaket, bëhet më vigjilent,
sytë si drita e ambulancës rrotullon pa fjalë,
çdo gjë në fushëpamje ndjek me kujdes,
me heshtje e sy, përditshmërinë e vëzhgon ngadalë.
Eh mor shoku im, po të them dy fjalë,
në kohën tonë ecnim thuajse zbath,
çizme llastiku, me xhaketa të vjetra,
ato që i linte vëllau i madh.
Por kishim rregulla, kishim moral,
sot çdo gjë doli jashtë kontrollit, fare,
a i sheh vajzat tona, me gjoks përjashta,
fustanë të shkurtër, si në brigje detare?
Djalli në shpirt, m’duket, u ka hyrë,
as drojë, as turp, as pikë mëshire,
flasin gjuhë province, pa asnjë stil,
dalin natën, të lyera si për dasmë shqiptare.
Edhe të miturat, vajza pa moshë,
të lyera, të zhveshura, të zbukuruara,
nënat e baballarët nuk ua ndalojnë,
pas orës dhjetë, rrugëve bredhin të lira.
Me cigare në dorë, “tymin fjollë”,
nëpër skuta e hije, hutojnë vetveten,
edhe drogën e shijojnë si bukën e gojës,
edukatë s’kanë, e lënë pas jetën.
Kur më kalojnë pranë, u shmang sytë,
turp më vjen për to, më vjen ndot,
nuk kanë as kulturë, as mirësi,
në amoralitet shohin vetëm lluks e modë.
Të rinjtë u larguan, ikën në Perëndim,
vajzat mbetën këtu, punojnë si djem,
dil një herë te sheshi, me vëmendje shiko,
a nuk janë të vërteta fjalët që them?
Në vend të librit, sytë në telefon,
mësojnë për botoks e për silikon,
e kanë “shoqe” inteligjencën artificiale,
shkruajnë pa lexuar, pa pasur mendje fare.
