Thursday, January 22, 2026
BallinaVitrina e libritHyqmet B Hasko-PAS AKSIDENTIT

Hyqmet B Hasko-PAS AKSIDENTIT

PAS AKSIDENTIT…

TREGIM…

Ishte një ditë e spërkatur me diell dhe aromë lulesh pranverore. Peizazhi përreth frymonte diell dhe dëshirë për jetën dhe ngjyrat e trazuara të stinës qerthullonin dëshira dhe ëndrra…

Ajo qëndroi në heshtje, duke vështruar tablonë e zymtë të atyre koridoreve të lakuar, në kthina të përzishme, ku vuanin dënimin gratë.

Befas dëgjon hapa të lehtë që afrohen pranë saj dhe mban vesh. Iu dukën hapa të njohur…të lehtë, të vrullshëm, komunikues. Ktheu kokën dhe nuk e gaboi parandjenja.

E bija erdhi drejt saj, me uniformën e vjetër të burgut, me atë fytyrën e saj të hequr, ku vetëm sytë e saj të bukur xixëllonin dhe shprehnin vazhdimësinë e jetës.

-Nënë! Nëna ime e dashur!

E bija u mbështet në krahët e saj të plakur e të tejlodhur nga barra e jetës dhe lotët i rrodhën nga sytë e njomur si ujëvarë, pandalim. E ëma u ndie e pushtuar nga një valë emocionesh të forta, ku përzihej mungesa, dhimbja, klithma e atij çasti tek e shikonte vajzën e saj të dashur në atë vend skëterrë, ku nuk kishte guxuar ta mallkonte as në zemëratën e saj më të epërme.

-Mos u mërzit nënë! Do ta kalojmë dhe këtë furtunë. Por mendjen e kam tek ajo grua që iku një herë e përgjithmonë nga kjo botë. Sytë e saj të pafajshëm, tek më vështronte me çudi, nuk më lënë të bëj gjumë natën.

Ajo solli ndërmend aksidentin, kur teksa ajo po kalonte Qafën e Thiut, qe përplasur me një Tojotë, që po vinte me shpejtësi në drejtim të kundërt. Përplasja pati qenë fatale, gruaja pati mbetur e vdekur në vend, burri i plagosur rëndë ndodhej në spital, në reminacion, ndërsa ajo…ah…ajo vogëlushja e tyre tetëvjeçare…Sytë e saj të trazuar fëmijnor e ndiqnin pas dhe nuk e linin asnjë çast të qetë.

-Mama,-iu drejtua ajo të ëmës.-Kam një porosi. Është shumë e rëndësishme.

-Fol bijë, pot ë dëgjoj.

-Shko në shtëpinë e fëmijës dhe kërko këtë vogëlushe. Është e mbijetuara nga aksidenti ynë fatal. E quajnë Ana. Është tetë vjeçe. Merre në shtëpi dhe bëj çfarë është e mundur që ajo të ndihet mirë…Të lutem, mama, bëje këtë për mua…Po të duhen para, merr librezën time, të të jap autorizim dhe tërhiq sa të duash…

-Nuk ka nevojë bija ime. Kemi para. Mos kij merak. Do të bëjë çfarë të mundem, që ajo vogëlushe të ndihet mirë…

Të nesërmen, nëna shkoi tek shtëpia e fëmijës dhe kërkoi Anën. Ia sollën. Ajo ishte një vogëlushe faqekuqe, çapkëne, me sytë gjithë jetë dhe gjallësri. Sapo e pa, iu hodh në qafë sikur të njiheshin prej kohësh.

Nëna mbeti një copë pezull gati pa frymë. O Zot, ato sytë e saj të trazuar, gjithë dritëhije fëmijnore…I kujtonin diçka të largët, tepër të largët në kohë…Një regëtimë iu mbyt në thellësi të zemrës së krisur, por nuk e dha veten. Kërkoi leje që ta merrte disa ditë vogëlushen në shtëpi, gjersa të mësonin për fatin e të atit që ndodhej në gjendje të rëndë në spital.

Pas tre ditësh, babai i Anës vdiq, me fjalët e fundit për të bijën e vogël në buzët e shkrumbuara nga dhimbja trallisëse e jetës. Ana u struk në krahët e thatë të asaj plake, që me porosi të së bijës po përkujdes me merak të madh për vogëlushen…

E bija doli në gjyq të hënën në orën nëntë, ku pas një séance të ngjeshur që zgjati rreth tre orë, gjyqtari dha vendimin e pafajësisë. Pasagjerët në Tojotë kishin hyrë në vendin dhe mënyrën e gabuar, duke shkatuar një aksident që iu kishte marrë jetëne duke lënë jetime një vajzë të vogël, Anën.

Atë mëngjes kur vajti me taksi të merrte të bijën që do të dilte nga qelitë e paraburgimit, nëna e saj pati marrë me vete dhe Anën, me të cilën lidhjet po bëheshin gjithnjë e më të dendura, gjithnjë e më emocionale. Sapo pa Slivën të vinte drejt makinës së tyre, Ana vrapoi drejt saj dhe iu hodh në qafë.

-Tezja ime!-belbëzoi Ana dhe tjetra mbeti e përkëdhelur në krahët e vogëlushes, e çuditur dhe e mrekulluar. Nënës diçka i klithi në gji. “Tezja ime!” O Zot! Çfarë ishte kjo?! Rastësi? Koiçidencë?! Mrekulli?! Ku i kishte parë sytë e trazuar të Anës, në ç’horizonte kohe të kaluar kishte ndeshur një “Anë” tjetër?!

Sapo mbërritën në shtëpi, nëna nisi të rrëmonte me ngut në një sënduk të vjetër, ku disa foto të zverdhura nga gjurmët e kohës e vështronin me mirëdashje dhe ngrohtësi…Dhe ja…e gjeti atë që kërkonte…O Zot, fotoja e asaj vogëlushje, ngjante si dy pika ujë me Anën…E njëjta moshë, të njëjtit sy, e njëjta aureolë pafajësie…Nuk mund të ishte një përkim rastësor…Ajo që ngjante si dy pika ujë me Anën, ishte motra e së bijës së adoptuar, e vetmja foto që ajo pati marrë me vete në udhëtimin e saj drejt një jete të të re, gjatë së cilës i pati falur aq shumë gëzim e lumturi! Kishte qenë aq e vogël sa nuk e mbante mend të motrën, një vit më të madhe dhe vetëm kjo foto ishte dëshmi se ajo ekzistonte…ose më saktë pati ekzistuar…

Të gjitha këto e ëma i mbante brenda saj, por vendosi ta gjurmonte të vërtetën. Vajti dhe kërkoi edhe një herë gjurmët në dokumentat e birësimit të së bijës dhe gjeti…zbuloi…se e ndjera, e ëma e Anës, nuk ishte tjetër…veçse e motra e së bijës së saj të birësuar…Pra e bija, ishte tamam tezja e Anës, siç e kishte thirrur instinktivisht kjo e fundit, që në takimin e tyre të parë, kur ajo sapo pati dalë nga qelitë e paraburgimit!

Si t’ua thoshte këtë të fshehtë përvëluese?!

Dhe një ditë e bëri zemrën gur dhe i thirri të dyja.

-Çudi, sa ngjani ju të dyja!-ia nisi larg e larg ajo, teksa i shikonte në krahët e njëra tjetrës…

-Kjo është tezja ime!-belbëzoi e përkëdhelur Ana.

-Po, mbesa ime e dashur…Ke të drejtë. Kjo është tezja jote. E ndjera nëna e saj, që tani prehet tek të shumtët, ishte tamam motra e saj. Ti, me instinktin tënd të pagabueshëm prej fëmije, zbulove një të vërtetë të madhe…

Të dyja kishin shtangur. Çfarë po ndodhte kështu?!

Në ajër dëgjohej vetëm frymëmarrja e tyre e shpejtuar.

Pastaj, si me komandë, ato u hodhën rishtas në krahët e nëjra tjetrës, teksa përqafimit të tyre iu shtua dhe ai i nënës, sytë e së cilës qenë përmbytur nga pesha e lotëve dhe emocioneve…

Pas këtij zbulimi, birësimi i Anës ishte thjeshtë një proces formal dhe që nuk pati asnjë lloj pengese burokratike, qoftë në plotësimin e dokumentave, qoftë në çdo procedurë tjetër.

Një ditë të diel, ata të të tre, nënë, bijë dhe mbesë morën rrugën që në mëngjes herët për në varreza, ku preheshin dy bashkëshortët, prindërit e Anës dhe motra e Betit, me të cilën qenë pëplasur në një aksident fatal…

-Këtu do të ndërtojmë një varrë madhështor, që ta rrahë dielli nga të gjitha anët, -foli e mallnëgjyer Beti.

-Këtu para, do të mbjellim një tulipan të madh, ku të shkruajmë emrat tonë. Emrin tim, tëndin dhe të gjyshes…, -fola Ana e përlotur…

-Kështu do të bëjmë shpirt,-ia bëri tezja që e përfshiu në krahët e saj dhe e tundi në ajrin e bymyer të asaj pranvere të hershme, që pati veshur të gjitha ngjyrat e pritjes dhe misterit…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT