Monday, December 29, 2025
BallinaVitrina e libritHyqmet B Hasko-Rastësisht të dashuruar TREGIM.

Hyqmet B Hasko-Rastësisht të dashuruar TREGIM.

Aurora nuk deshi t’ia prishte të birit, këmbëngulja e të cilit që ajo të njihej me atë që kishte zgjedhur për zemrën e tij, ishte e tillë, që nuk të linte shteg për shmangie e zgjatje në kohë. Deshi s’deshi i tha të birit të takohehsin në ndonjë kafene, para se ajo të vinte në shtëpi dhe të bëhej pjesë e jetës së tyre. Siç i kishte thënë i biri, vajzën e kishte njohur në një kurs gjermanishteje dhe menjëherë midis tyre qe shfaqur ajo shkënidjë elektrike, që i shtyn dy njerëz, deri dje të huaj, në krahët e njëri-tjetrit. Ajo e ndjente se i biri çmendej pas saj dhe kureshtja për ta njohur atë që kishte pushtuar zemrën e njeriut të saj më të dashur, po bëhej gjithnjë e më përvëluese…

Ishte e diel dhe në ajër endej një parfum dehës pranvere, nga ata që vijnë befas dhe mbështjellin gjithçka në pelena misteri e pritjeje…Në orën pesë pasdite e kishin lënë për tu takuar në kafene “Eva” dhe ajo po nxitonte rrugës, veshur me mendime të gjithëfarshme. I biri pati shkuar me kohë dhe me sa duket po e prisnin në kafene me kandidaten për nuse…

Lokali ishte në të hyrë të kryeqytetit dhe para kishte një lulishte të bukur, me pemë dhe lule të shumëllojshme, që mbanin një erë magjie…

E pa të birin nga larg dhe vetetimthi sytë i shkuan tek ajo që kishte në krah, në një nga tavolinat në mes të kafenesë, e cila qe mbushur plot. Ajo shkoi drejt tyre, me sytë të rrëmbushur nga emocionet, që e pushtuan valë-valë. Vajza u ngrit në këmbë dhe i puthi duart, çfarë e bëri atë nënë të ngrihej në qiellin e shtatë…Kur po i puthte duart, nëna vështroi duart e të dashurës së të birit, duar të holla, të gjata, me gishtat nazikë dhe në shputën e sipërme të dorës…Ajo shenjë bëri që të ndiente një drithërimë…Koha sikur ngriu në atë çast dhe…Ritmet e zemrës iu shtuan…Herë pas here vëzhgonte tinës vajzën dhe një valë e zjarrtë ankthi e mungese ngrihej si katakomb nga zemra e asaj gruaje, që po përjetonte çaste unike…

Kur u ngritën, e përcollën vajzën deri në hyrje të rrugës së shtëpisë së saj me makinë dhe nënë e bir u kthyen për në shtëpinë e tyre.

-Hë, mama si t’u duk?-pyeti djali i saj, Mandi, kurioz,

E ëma heshti. Ajo heshtje nuk i pëlqeu të birit.

-Mos u ngut, biri im… Kurrësesi mos u ngut…Njeriu një herë martohet në jetë…

-Po unë e dua, mama!

-Prit, njëherë…Të studiojmë kush është e si është…të mësojmë për familjen e saj…

Ajo fliste, por i biri nuk mund të ndiente një soj nervozizmi që shfaqej si një aureolë dhimbje në ballin dhe sytë e trazuar të së ëmës…

Gjithë ato ditë, nga pika e mëngjesit deri në mbasdite, pas orës katër, e ëma nuk u duk në shtëpi, hynte e dilte nëpër zyra dhe askush nuk e dinte se çfarë kërkonte. Kur e merrte në telefon i biri, i thoshte se kishte punë, për çështjen e një prone, gjë që nuk ishte e vërtetë, pasi çështjen e pronave i kishte zgjidhur me kohë e vakt…

Pas tre javësh, zbuloi atë të cilës edhe i druhej, edhe e ëndërronte. Ndjenja kundërshtare u kapërthyen në atë zemër vetmitare nëne, që kishte llogari për të mbyllur me të kaluarën e saj…

-Hë, mama, a “studiove” për të dashurën time,Anën?! Nuk kam kohë për të pritur më!…

-Ajo nuk të përshtatet, biri im! Dua që të më japësh fjalën se do të heqësh dorë prej saj…

-Punë që nuk bëhet, mama! Jetën e jap për ty, por nga Ana nuk heq dorë!…

Megjithë kundërshtimet e së ëmës, djali dukej i vendosur dhe nuk kishte burrë e grua nëne që t’ia mbushte mendjen të largohej nga dashuria e jetës së tij…

Një ditë, e ëma shkoi dhe takoi krushkën,ose më mirë kandidaten për krushkë, të ëmën e vajzës…U takuan në mëngjes dhe mbaruan së biseduari pasi perëndoi dielli dhe muzgu vari kokën e përgjumur mbi peisazhin blu të kryeqytetit…

Askush nuk e di se çfarë folën kaq gjatë, por të nesërmen, e ëma e lajmëroi të birin se do të shkonin jashtë qytetit të hanin një drekë të katërt, ai dhe ajo, bashkë me Anën dhe të ëmnën e saj…Djali u gëzua shumë, e përqafoi të ëmën dhe atë ditë, gjatë gjithë kohës, u ndie i ngazëllyer…

-Je nëna më e mirë në botë!-i tha dhe iu var në qafë si dikur, kur ishte i vogël…

Të nesërmen, pasi u ulën dhe morën përpara pijet dhe mezet e shumëllojshme, e mori fjalën krushka, e cila foli dhe tha:

-Bijtë e mi! Kjo që do të dëgjoni do t’iu duket si përrallë, por është e vërtetë dhe kjo e vërtetë ka ardhur koha që të njihet nga ju.

Dy të rinjtë vështruan njëri tjetrin në sy, në mënyrë dyshuese…

-Bija ime, kjo që ke përballë dhe që ti kërkon ta quash vjehërr është nëna jote natyrale…Unë jam nëna birësuese…Sapo të pa atë shenjë në dorë, iu kujtua kur të kishte foshnje njëjavëshe…ajo shenjë nuk qe harruar asnjë çast nga kjo frua fisnike…Megjithatë gjithë këto ditë ajo u interesua në institucionet përkatëse dhe zbuloi këtë të vërtetë, që sapo ua thashë…Foli me mua dhe gjithccka përkonte pikë për pikë…

Dy të rinjtë kishin shtangur dhe një hije misteri, veshur me një vel lotësh të nxehtë, qarkonte në fytyrat e tyre të kontraktuara…

Ishte radha e Aurorës t’i drejtohej të birit:

-Biri im, edhe unë jam nënë birësuese për ty! Kjo është e vërteta, edhe pse të kam dashur shumë…shumë, aq sa s’do të të doja po të të kisha fëmijë të barkut tim…Ti je gjithçka për mua…Dhe u shkreh në lotë në prehër të të birit…

Heshtja me velin e saj të mjegullt qëndronte aty, si një muranë mes tyre. Por shpejt ajo muranë u shkri dhe ata po ndienin afërsinë e re, që vjen mes njerëzve shumë të dashur, kur mësohen disa të vërteta, të pluhurosura nga koha…

-Ju keni rënë në dashuri. Bëni si t’iu thotë zemra. Nuk keni pengesë, pasi nuk keni lidhje gjaku…Të tjerat i dini vetë…

Kështu foli Aurora dhe nëna tjetër e pasoi duke i përforcuar fjalët e saj, ndërkohë që dy të rinjtë, po e shikonin njëri-tjetrin nën breroren e një drite të re…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT