SHENJTËRIA KU JAM LUMTURUAR.
Fare pa pritur dhe krejt pa kuptuar,
me the nje ditë se me mua je dashuruar
si shaka i mora, se s’kishte fare kuptim,
që unë të luaja me sinqeritetin tim.
Dhe na iku ajo dite me zënka e fjalë,
pasi me thoje se për mua kishe shumë mall.
Unë isha e qartë në vendosmërinë intime,
se të shenjtë e të shtrenjtë kam familjen time.
Ti me dridhje buze flisje e nervozuar,
dhe fjalë fyese përdore disa herë,
kur të thashë s’kam kohë për t’u dashuruar
se me gruan përjetësisht i pandarë jam ndjerë.
Një mendim i zymtë ty të pushtonte trutë,
dhe disa fjalë të përçarta flisje me vete.
Shikoje tek unë një shpirt të brishte e të urtë,
por s’kuptoje se urtësia ngre dhe dallgë në dete.
O mikja ime e mirë, për mua ndrysho mendim,
mos mendo keq, mos luaj me sinqeritetin tim!
Të shenjtë kam familjen, zoti ma ka bekuar,
tek kjo shenjtëri jete përherë jam lumturuar.
