Je e jona e bukur Shën Mëri
Tek ty festohej çdo shtator
S’na ndalonte as erë e as shi
Vallja shqipe tundej në oborr…
Zemër mbushura hambar
Lutjet i bënte shqipërisht
Shitej e blihej, bëhej pazar
Tek Shën Mëria në Kalisht…
Dhe Shën Mëria vjeshtën na e bekonte
Me yjet dhe hënën qiellin dritë e bënte
Tek ujrat e burimeve dëshirat na çonte
Me ne edhe Shën Mëria bashkëjetonte
…
Dhe ja një ditë oguri na u ngatërrua
Siç ngatërrohen këmbët ndër litarë
Dhe Shën Meria u muros, u sllavizua
Ylli që patëm, para syve tona u shua…
Po ti s’pate faj, e ndritura Shën Mëri
Kulmin ta zbuluam dhe të lam në shi
Ne kryem një vrasje bëm një tradhëti
Me kohen dhe veten nuk ram në Ujdi…
Ska vend për vallen të hidhet në shtator
Pranë kur të kalojmë me zor frymojmë
Derën s´mund ta hapim, sytë na lotojnë
Përbrenda vetëvetes ziejmë e Vajtojmë…
Ata që te morën, emrin të ndryshuan
Aty je, o Shën Mëri, brenda në Kalisht
Si tufani i egërsuar rastin e përfituan
Ne të lamë fizikisht, por jo shpirtërisht…
