Sunday, April 12, 2026
BallinaLajmeIKSHPK-ja thotë se rritja e rasteve të gripit ka tejkaluar pragun epidemik

IKSHPK-ja thotë se rritja e rasteve të gripit ka tejkaluar pragun epidemik

– Përhapja e shpejtë e gripit sezonal dhe rritja e madhe e rasteve të dyshimta me këtë sëmundje ngjitëse, kanë bërë që të tejkalohet pragu epidemik, ka paralajmëruar të enjten Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Pragu epidemik është parametër që përcakton nëse një sëmundje ngjitëse mund të përhapet tek popullata. Ai përdoret për të vlerësuar rreziqet e mundshme të një epidemie dhe për të filluar me zbatimin e masave të duhura kontrolli.

Sipas institutit, në Kosovë pragu kalohet kur regjistrohen 5.000, apo më shumë raste me grip.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, instituti tha se nga 6 deri më 12 janar është raportuar një numër prej 7.826 rastesh të dyshimta me sëmundje të ngjashme me gripin.

Ndërsa, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes, i moshës 79-vjeçare.

“Çdo sezon, institucionet shëndetësore kosovare regjistrojnë raste te vdekjeve dhe atë kryesisht te moshat mbi 65-vjeçare dhe rastet me sëmundje kronike përcjellëse, me trend të ngjashëm sikurse edhe në shtetet evropiane”, tha IKSHPK.

Çdo vit, kryesisht gjatë sezonit të dimrit, gripi sezonal prek rreth 1 miliard njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH-ja vlerëson se ka rreth 3 deri në 5 milionë raste të rënda me grip sezonal në botë, dhe mes 290.000 dhe 650.000 vdekje në vit në botë.

Çfarë është gripi sezonal?
Gripi sezonal është sëmundje akute infektive, e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Simptomat e gripit zakonisht fillojnë rreth dy ditë pas infektimit dhe zgjasin zakonisht një javë. Simptomat përfshijnë: ethe papritmas, kollë (zakonisht e thatë), dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe kyçeve, dhimbje të fytit dhe rrjedhje e hundës.

Shumica e njerëzve e shërohen vetë nga gripi. Megjithatë, njerëzit me simptoma të rënda apo me sëmundje të tjera përcjellëse, duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Vaksina është mënyra më e mirë për ta parandaluar gripin sezonal. Imuniteti nga vaksina venitet me kalimin e kohës, prandaj këshillohet vaksinim vjetor për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Instituti tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85.000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT