Më e rëndë se vetë heshtja është fjala
që nuk bëhet zë
ajo ngrihet e digjet në buzë,
por nuk arrin të thuhet.
Kam mbajtur brenda vetes
fjalë që më kanë rënduar shpirtin.
Jo se s’doja t’i thosha…
por s’mundesha.
Kam pasur edhe dhimbje që s’ishin për t’u ndarë…
Ato nuk kërkonin fjalë,
veç praninë e një zemre
që di të dëgjojë në heshtje me dhembshuri.
Sepse disa fjalë janë si qirinjt në errësirë:
ndriçojnë për të tjerët me një dritë
ndërsa digjen ngadalë në vete pa zë
duke lënë plagë në shpirtin që i mban brenda.
