Ti ishe në moshën e vajzës sime
Kur lufta të trokiti në derë,
Ëndrrat rinore sfidove Hyrie
Në supe hodhe maliherë.
Për lirinë s’mund të toleroje
Ta nëpërkëmbnin kurrsesi,
Jetën tënde asaj i dhurove
Në moshën e artë që quhet “rini”.
Sot të gjithëve na ke ballë teje
Përulur me respekt dhe dashuri,
Në kurorën e vendosur prej meje
Është dhe zëri i ngrohtë i fëmijëve të mi.
Ti sot prehesh në altarin e lirisë
Je më madhështore se një monument,
Të gjitha i dhurove plot dashuri
Për atë që kish nevojë ky vend.
Ndaj sot të heshtur para teje
Sërish përulemi me respekt e dashuri,
Heroina me e re në botë Hyrie
Moshatare me fëmijët e mi.
