NË PRIZREN
Në çarshinë e vjetër kam pirë uje e kafe
Me ujin e shatërvanit kam freskuar ballin,
Brigjeve të Lumbardhës kam bërë ecejake
Kujtesën duke shtrirë hapësirës së mallit.
Kam hedhur vështrimin tej në mbijetesë
Nga muret e ndryshkur të kalasë së lashtë,
Përulur jam para gjithçkaje që shqip flet
Bashkëjetesën njerézore mes etnive pashë.
Meshë kam dëgjuar në kishën e Shën Prendes
Bajramin kam falur te xhamija e Bajraklisë,
Kam ndjerë krenari por dhe therje në zemër
Te Shtëpia e Lidhjes së gjithë shqiptarisë.
E kam ndjerë freskinë e Bjeshkëve të Sharrit
Shijuar kam dhe perëndimin e diellit,
Mbi gjithçka kam parë krenarinë e shqiptarit
Që gjallë mban përjetësisht dinjitetin.
Ngado që shkela ngado që kalova
Në zemër pata Zambakun e Prizrenit,
Qiellit jehonte zëri i të madhes Pagarusha
Si kolonë zanore shpërndarë planetit.
