PËRSHKRIM POETIK MBI PLEQËRINË
Patjetër vitet do e bëjnë të veten
Pleqëria, sigurisht, do fillojë një ditë.
Më pak veshët do dëgjojnë përshëndetjen
Më pak horizontin do rrokin sytë.
Sigurisht, pa rënë s’do ngelin dhëmbët
Lëkura më shumë do mbushet me rrudha
Pa u prekur s’do mbeten as duart e këmbët
Më e gjatë do të duket nga lodhja udha.
Do të fillosh të bëhesh më nostalgjik
Do prekesh për një lëndim sado të vogēl
Dhe në biseda të lira do bëhesh nevrik
Zërin do ngresh në debat mes shokësh.
Dhe gjumin më s’do e bësh të qetë
Disa herë do ngrihesh në orët e natës
I trembesh freskisë së njē puhie të lehtë
Po kaq sa djersitjes prej zhegut të vapës.
Mendja të rri: Sa e kam tensionin?
Po sheqerin vallë, sa e kam në gjak?
Mendon: A do rritet këtë vit pensioni?
A do bëjë këtë vit qeveria gjel dhuratë?
Dhe fillon pastaj nga profecitë:
“Do prishet koha” – mburresh – këto ditë
Nga vranësirat të therin kocka e brinjë
Prej kollës së thatë dhembin mushkëritë.
Pa fillon pastaj, krekosjen mes shokësh
Mburresh se ke bërë kushedi sa mrekulli.
Me gënjeshtra kërkon të tjerët të ngopësh
Me gënjeshtrat që i beson dhe vetë për çudi.
Se shpejt vjen pleqëria, s’ka dyshim aspak
Por, do zoti, ardhtë për së mbari e bardhë!
Mos ndërroftë jetë njeri, pa u bërë plak!
Mos ndërroftë jetë njeri, pa trashëgimtarë!
