Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Filipine librin me tregime të titulluar “The ticket of a canceled trip”(Bileta e një udhëtimi të anuluar). Përmbledhja mban logon e shtëpisë botuese Poetry Planet Book Publishing House. Kopertina e librit është e fotografit Biagio Fortini.
Librat e poetes dhe shkrimtares Irma Kurti gjatë vitit 2025 janë përkthyer dhe botuar në Belgjikë, Holandë, Portugali, Spanjë, Itali, Algjeri, Guatemalë dhe Filipine.
Në parathënien e shkruar nga autorja lexojmë: “Tregimet në këtë libër përziejnë fragmente të imagjinatës dhe përvojave personale. Ato hedhin dritë të re mbi ndjenjat dhe kujtimet e mia. Kam shkruar gjithmonë për dashurinë dhe nuk do të ndalem kurrë së eksploruari këtë ndjenjë të thellë. Më tërheq emocioni i vërtetë – një botë që pret të zbulohet – dhe universi i të dashuruarve. Më pëlqen të eksploroj botën e brendshme të personazheve të mi, të përshkruaj pse-të që i përndjekin dhe ta portretizoj vuajtjen si një aspekt natyror dhe jo të frikshëm të jetës. Shpresoj që lexuesit të njohin ndjenjat, dhimbjet dhe gëzimet e tyre në këtë përmbledhje me tregime të shkurtra. Është komplimenti më i lartë kur ata më thonë se identifikohen me personazhet e mi – me ndjenjat, shpresat dhe iluzionet e tyre.”
IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël.
Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar 115 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Portugali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Algjeri dhe Guatemalë.

