Tuesday, October 14, 2025
BallinaVitrina e libritBotimet e rejaIRMA KURTI BOTOHET NË SPANJË. LIBRAT E SAJ JANË BOTUAR NË 22...

IRMA KURTI BOTOHET NË SPANJË. LIBRAT E SAJ JANË BOTUAR NË 22 VENDE TË BOTËS

Vepra titullohet “Tiempo de amarse” dhe mban logon e Ediciones Ábrego në Madrid, Spanjë

Një tjetër vend i hap portat krijimtarisë së poetes shqiptare Irma Kurti. Botohet në Spanjë përmbledhja e saj me poezi titulluar “Tiempo de amarse” (Kohë për t’u dashur) me logon e Ediciones Ábrego. Përkthimi i poezive në gjuhën spanjolle është bërë nga Rafael Carcelén. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini. Poetja i këndon mallit, nostalgjisë për vendlindjen dhe dashurisë. Poezitë e saj janë të veshura me ndjenjë dhe melankoli, po dhe me kurajon dhe shpresën për të gjetur pozitiven dhe forcën në kohëra të vështira. Ky libër u dedikohet prindërve të saj Hasan Kurti dhe Sherife Mezini, që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.
Kritiku letrar Hamid Oqabi shkruan: “Irma Kurti është një nga zërat femërorë më të rëndësishëm në diasporë. Ka botuar dhjetëra libra me poezi dhe prozë dhe veprat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë, duke reflektuar një prani të gjerë të saj në skenën letrare evropiane. Vargjet e saj përqendrohen në tema të ngarkuara emocionalisht dhe thellësisht njerëzore, si: dashuria, humbja, plakja, mungesa, vetmia dhe dëshira për ngrohtësi. Poezitë përbëhen shpesh nga strofa të shkurtra dhe fjali të qarta, duke shmangur kompleksitetin ose simbolikën e tepërt. Kurti mbështetet më tepër tek ndjenja sesa tek befasia duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë që komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhembje ose shpresë. Ajo që e dallon veprën e Irma Kurtit është ndershmëria emocionale dhe identiteti i saj shumështresor, pasi krijimet e saj dalin nga kryqëzimi i personales dhe kulturës, duke ofruar një zë poetik që i kapërcen kufijtë pa pretendime apo ekzagjerime.”

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy në Zvicër. Ajo është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.

Irma Kurti ka botuar mbi 110 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 22 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Spanjë, Portugali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi dhe Algjeri.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT