Mbështetur pas murit, afër trenit në një cep,
Me pantollona dalë boje, një jelek të vjetër ngjyrë të zi.
Me sy të skuqur, të lodhur, me këpucë të grisura,
një djalosh, kuturu mbi botën hidhte vështrime…
Iu afrova, me kujdes, e pyeta pa e lënduar,
Çfarë ke nevojë, mor djalosh?
Ai, i habitur, më vështroi mua.
Dy pika lot, më rrodhën faqeve, pa e kuptuar.
Ashtu, e turbulluar, përsëri e pyes,
Çfarë kishte nevojë, me buzët që i dridheshin,
Me zë të mekur, hidhur m’u përgjigj;
Pak bukë dhe pak ngrohtësi, dua…
Me shpejtësi, hapa çantën, u gëzova;
Më kish mbetur një simite e mbështjellur letër,
Dhe ca të holla, ia afrova, më ledhatoi duart.
I gjori djalë i mekur, nga uria kish “vdekur”.
Përse, erdhe këtu mor djalosh?!
Me gjysëm zëri, ofshani i tërhequr,
Eh! Nëna më ka vdekur. Po yti baba, ku është?
Ah! Foli me revoltë, duke më vështruar; më la derëziu, iku, u martua.
Një trazim-shqetësim, ndjeva në shpirt.
Sytë m’u errësuan, ajo ditë plot diell,
U kthye në shi, shpirtat tona të zemruara.
Djaloshi s’ish lypës, qe i pafat…
Jeta, ashtu e kishte dënuar.
Ecja, ecja, se dija, këmbët ku i hidhja.
Në një dyqan hyra, bleva ca rroba…
Djaloshit, për t’ia dhuruar.
U ktheva, ku qëndronte djaloshi.
U trondita, aty ta gjeja s’arrita.
Fatkeqësisht, në drejtim të panjohur
Si një pëllumb në metropolet europiane,
papritur, ishte larguar..
Ika e lënduar, nga ai cep i mallkuar.
Lotët më rridhnin rrëke!…
Mendoja, e trishtuar mendoja:
Kjo është padrejtësia, njerëzore, “demokratike” mizore mbi dhe.