Ballkani sonte në stadiumin ‘Fortuna Arena’ në Çeki do të zhvillojë ndeshjen e dytë në grupe të Conference League ndaj Slavia Prague me fillim nga ora 18:45. Skuadra çeke gëzon formë të jashtëzakonshme sa i përket ndeshjeve të zhvilluara në shtëpi.
Slavia Prague nuk dinë për humbje si vendas në një ndeshje zyrtare që nga 15 maji, ku ishte mposhtur me rezultat 1-2 ndaj Sparta Prague në xhiron e fundit të Superligës së Çekisë.
Nga ajo kohë pa llogaritur miqësoret e zhvilluara, skuadra e drejtuar nga Jindrich Trpisovsky ka luajtur shtatë takime në shtëpi dhe i ka fituar të gjitha.
Vlen të ceket se në këto ndeshje kanë shënuar 34 gola dhe i kanë pranuar vetëm dy. Ndërsa, triumfi me rezultat më të thellë ka qenë kundër St.Josephs 7-0.
Kujtojmë se Slavia Prague në ndeshjen e parë të grupit G përballë Sivasspor kishte ‘ngecur’ në një barazim 1-1. Megjithatë, kishte lëshuar mundësinë e artë për ta fituar duelin pasi nga penalltia në minutën e 93’të kishte dështuar të shënoi mesfushori, Lukas Provod.
