Burrat me eshtër.
Ku janë këta burra me sy cikllopi,
në mustaqe ngjyer nikotinën
burra pa bark, burra pa gushë,
burra që s’e kthenin kurrë shpinën.
Nga ti kenë marrë sytë vallë?!
nga plitherët e gdhendur në gurë,
nga komet e lisave shekullorë
apo nga uji i kaltër që del në gurrë.
Të merr malli për këta burra të merr,
për fjalët e pakta për fjalën e rrallë,
për kutinë e latuar të duhanit,
për rrudhat si brazda përmbi ballë.
Kanë mbetur diku shënja prej tyre,
prej atyre që s’të shisnin për një aspër.
Diku e hedhur tutje një kanaçe lufte,
ku ngrohej uji për mjekrren e ashpër.
Dhe varret e tyre, ku prehen të qetë,
emrat mbi pllakë mbuluar nga myshku,
dhe stanet pa zjarr, stanet e shurdhër,
nëpër gardhe shergjet i ka brehur myku.
Tek eci shurit përpjetë i menduar,
them: Ç’duhet grimi nëpër filma regjisorë!
keta burra rritur dhe vdekur në male,
nuk janë figurantë, kanë lindur aktorë.
