Baladë
Bukuroshja e Fjetur
(Legjenda e Drinit t’Bardhë)
Në bjeshkët e larta nën re të bardha.
Ku vërshon dhe rrjedh uji i ftohtë.
Rritej nji vajzë me flokë të arta.
Me zemër të pastër me shpirt të ngrohtë.
Një trim mbi kalë me shpatulla të gjëra.
Nga ana tjetër e bjeshkëve të ashpra.
Kur bukuroshja po mbushte dy bucela.
E solli era e malit në ato ujra të kaltra.
Trimi uli sytë se kështu thotë zakoni.
Frymëmarrjen dëgjoj dhe ajo mbuloj kokën.
Lëkundi çdo gjethe dhe çdo fije bari.
Flladi i malit që nuk fryn tër’ kohën.
“Veç vdekja ne mundet të na ndalë”.
Të dy u betuan ndonëse pa asnjë fjalë.
Përjetë fiset e tyre me pushkë ishin ndarë.
Nuk dinin fundin që fati u kishte falë.
Fjala përhapet më shpejt se er’e malit.
Pleqt’ e fiseve vendimin kishin vulosë.
Djali degdisej, vajza në kullë t’fshatit.
Krushqi midis tyre kur s’kish me pasë.
Me ndihmë të zotit vajza arratiset.
Vrapon ku Drini i Bardhë buron.
Pa frym arrin, e trimi nuk bitiset.
Shkëmbi shpërthen dhe toka gjëmon.
Shpirti i bukuroshes ashtu duke u shuar.
Mbi burim u shtri vajza e dëshpëruar.
Pa dhimbje për fatin e saj të shkruar.
Dëgjon Drinin e Bardhë duke gurgulluar.
U ngurtësua vajza u kthye në shkëmb.
Aty ndodhet prej shekujsh e humbur.
E bardhë si bora që bie në atë vend.
Njerëzisë u kujton dashurinë e pamundur.
Mbi Radac kur dielli ikën ngadalë.
N’hije Bukuroshja e Fjetur shikohet.
Hesht pylli, gjethet dhe çdo gjë e gjallë.
Jehon vetëm një zë që mezi dëgjohet…
“Fjala e dhënë kurrë nuk harrohet.
Dhënësi i fjalës nuk dihet ku ndodhet.”
