A do isha unë vetvetja,
sikur kujtimet të mos më gëlonin
si flluska ajri në ujë të thellë?
Pa zërat që më ndjekin nga pas
e më thërrasin me emra
që s’i kam shqiptuar prej kohësh?
Pa shenjat e gishtave të nënës,
mbi bluzën time të bardhë,
që s’e vesh më, por e ndjej,
kur era fryn prapa qafës?
A do isha unë vetvetja,
sikur të mos më digjnin,
plagët që askush s’i sheh,
veç kur mbyll sytë,
dhe shikoj veten në errësirë?
