E bukur, si një yll që ndriçon, nuk të them,
S’të them dot se ylli është aq larg sa s’mundem,
Ta prek, ta përkëdhel, sytë e tij kaq afër t’i kem,
Si tek ty, n’ngrohtësinë e ëmbël, të përhumbem.
Nuk doja të shkelja më në një plagë që pikon,
Në perëndime të djegura ku qava dashurinë,
Me dhimbjen e hidhur që akoma rënkon,
E të bën ta ndjesh veten para botës një grimë.
Po ti zbrite si një kometë plot dritë dhe u fute,
Si një copë hëne, që zbret nga pjergulla në oborr,
Si një rreze agimi që hyn në dhomë si hajdute,
E të puth n’ëndërr me fjalë të ëmbla magjiplotë.
Ti çele mbi rrënoja shpirti si një lule mbi shkëmb,
Dhe pse stuhitë kishin sjellur dimër në çdo cep,
Ti more e përkunde një shpirt të vrarë që dhëmb,
Një varkë, që mbysnin dallgët, e nxore në breg.
