Është një thirrje e zemrës time për Azem Shkrelin, poetin e madh të letërsisë shqiptare, që i dha shpirt kombit tonë.
Me dhimbje dhe revoltë e shoh se tani po përpiqen ta përdorin emrin e tij për interesa zgjedhore, duke u munduar të perfitojnë ne emrin e veprës së tij.
Ne, poetët dhe shkrimtarët, nuk duhet të heshtim: emri i Azem Shkrelit nuk mund të shfrytëzohet për lojëra politike. Ky është një paralajmërim për të gjithë: mos e lejoni që matrapazlleqet të triumfojnë mbi kujtimin e tij. Lavdia e Azem Shkrelit nuk është pronë e askujt për të përvetësuar; ajo duhet mbrojtur, sepse është edhe lavdia jonë.
MOS PËRDHOS EMRIN TIM
(Kushtuar Azem Shkrelit)
Sa shumë kthesa e bregore,
Fusha, male plot gjelbërim,
Mbushur plot me shtojzovalle,
Është i bukur vendi im.
Shoh qiellin plot me re,
Vallë ç’të gjeti, vendi im?
Plotë laraska shtegtojnë me klithma,
Po “vajtojnë” me pikëllim.
Ulërojnë, lëshojnë sokëllimë,
Ngrihen dolli mbi emrin tim.
Ah, sikur të ngrihesha njëherë nga varri,
Si luftëtari Konstantin,
Drejt në Shkrel të shkoj vetëtimë!
Më mbaj, o dhé, mos m’i shtrydh eshtrat,
Mos m’i lëkund, mos m’i trazo.
Emrin tim mos ma përmend!
Vallë, a lashë pas unë dikë
Që përbuz kujtimin tim?
A ka njeri në këtë dhé
Që t’i ndalë këta faqezinjë?
Ju, ku jeni, fëmijët e mi?
Pse duroni këto marrëzi?
Pse lejoni të më nënçmojnë,
Edhe të vdekur qetësinë ma prishin?
Ngrihuni pra, kundërshtoni,
Mos ta përdhosin emrin tim,
Se këto shkrepa kafshojnë përbuzjen.
O Ti, Shkreli im,
Ruaje emrin tënd,
Që është edhe emri im!
