Jetoj me mall…
E malli po m’mbyt —
me e pa edhe nji herë Drinin,
me i la sytë n’ujë t’tij,
derisa shikimi me m’u kthy prapë.
Jetoj me mall…
Për fëmininë teme m’ka marrë malli —
me iu ngjitë edhe nji herë malit,
me marrë frymë thellë e lirshëm,
me u ngi me erën e sherebelës,
kangën e zogjve prapë me e ndigju,
e bashkë me to — edhe unë me këndu.
Jetoj me mall…
Për atë qiell
ku sytë e mi u takuen me diellin,
me hanën, me yjet
që m’banë shoqni
kur vetmia m’mbyte.
Malli po m’mbyt
për atë tokë ku luejta —
e rrethueme me varfni,
po edhe me dashni t’madhe,
që e kishim krejt bashkë:
i madh e i vogël.
Malli po m’mbyt…
Loti sytë po m’i verbon,
zemra m’asht lodhë —
veç edhe nji herë
me e prekë buzëqeshjen
e fëmijve, e gjysheve,
me i pa prindët t’lumtun,
motrat e vllaznit
të gëzueshëm mes veti.
Nuk e di
a kam me mujtë…
nuk e di
a kam me qenë gjallë…
veç edhe nji herë
me e shue
këtë mall!
