Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritLlesh Gjoka-ERDHI DITA TJETËR

Llesh Gjoka-ERDHI DITA TJETËR

ERDHI DITA TJETËR

Erdhi dita tjetër
Erdhi ora e fjalës sublime…

Duhet ta largoj pelinin deri në limfë
që më shkaktoi preja e pritjes së gjatë
Nga ditët ikanake
në fluturim të lirë.

Duhet të ndërtoj trarë të fortë
qëndrimit nën çati
Ku përzihen shkulme furtunash të çuditshme
Ku djaj dhe ëngjëj duhet të luajnë së bashku
lojën e pamëshirshme.

Edhe unë cili jam, cili,
që po lodroj mes tyre?!

Erdhi dita tjetër, një më pas
Erdhi ora e fjalës sublime…

Të përcjell zogjtë e rinj njomzakë
që dolën nga foleja fortesë
ku i mbanin të ngujuar
Me një dëshirë të vetmuar
në vendin e pishtarëve të fikur.

Eh, unë tash rri i heshtur
Mbi patericën e një shprese
Ta shkruaj edhe këtë faqe libri që më ka mbetur
T’i ildis dëshirat e mbrame në kindet e ditëve.
Duke lëshuar një thirrje lutëse.

Rend or rend!
Më merr me vete!
O maratonomak i garave fituese me fatin!
Me vrullin tënd
të shkruaj një ditë më tepër.

Të ngrihem deri te caku i marrëzisë
Të ngopem unë,
ziliqar i sëmurë
Se jam edhe unë në garë me ty!

E kush, unë?!
Njeriu shëndetlig,
lindur në agjërim dëshirash, gëzimesh të panjohura
Gjithëpranues i fatit të pafat
Shtangë e rëndë, e pangritur
Në krahët e fortë eshtakë të burrit.

Erdhi dita tjetër, erdhi!
Erdhi ora e fjalës sublime
të mbetur peng s’di se ku…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT