Jam!
Unë jam…
Pjesëz e kësaj Bote jam,
Qelizë e gjallë në trupin e saj.
Zemra më rreh me të njejtin ritëm,
Frymëmarrjen me të e ndaj!
Tek unë nis dhimbja e saj
Gëzimi, hidhërimi, vuajtja…
Çdo gjë tek unë fillon
E ajo si një nënë e dhimbshme
Asnjë namë mbi mua nuk lëshon!
Unë jam…
Qytetar i Evropës plakë jam,
I tillë kam qenë qëmoti
Dhe pse të tjerët mundohen të më ndajnë
Me fjalë e sajesa kotsëkoti!
Unë jam…
Ballkanas unë jam,
Gatuar i tëri me barot,
Por s’jam unë jo një kamikaz,
Që vetes t’i vej zjarr,
E as te tjerët s’më kallin dot!
Unë jam…
Shqiptar e bir shqiptari jam,
Krenarë për vendin ku kam lerë
Gjysh pas gjyshi i tillë kam qenë
Me mendje e zemër europjan!
Si?
Adresën po më kerkoni?
Akoma atë se keni kuptuar
“Qytetar i Botës së Lirë”
Mjafton mbi zarf të shënoni
E mesazh i saj tek mua do mbërrijë
Nga koordinatat e çdo pike të Globit!
