Wednesday, February 25, 2026
BallinaVitrina e librit“LUCI DI VERITÀ - ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I GAZETARISË ETIKE NË MINISTRINË E...

“LUCI DI VERITÀ – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I GAZETARISË ETIKE NË MINISTRINË E KULTURËS (ROMË)

Nga Regina Resta

Të martën, më 24 shkurt 2026, nga ora 14:30 deri në 18:00, në Romë u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimit Gazetaresk Etik “Dritat e së Vërtetës”, e planifikuar në Ministrinë e Kulturës në sallën Spadolini. Projekti, i promovuar nga Shoqata Kulturore VerbumlandiArt APS me nismën e senatorit Manfredi Potenti, lindi për të vlerësuar një gazetari të aftë që të ndërthurë rigorozitetin, guximin dhe përgjegjësinë etike në një periudhë historike të shënuar nga dezinformimi dhe kriza e besimit në rrëfimin publik.

Çmimi “Dritat e së Vërtetës” nuk paraqitet në konkurrencë me vlerësime të tjera, por si një hapësirë drite, reflektimi dhe mirënjohjeje ndaj atyre që mbrojnë të vërtetën si një të mirë të përbashkët. Konceptimi dhe kujdesi për nismën iu besuan Dr Regina Resta, presidente e shoqatës VerbumlandiArt APS dhe e Çmimit, Dr Maria Pia Turiello, presidente e Komitetit Shkencor dhe zv/presidente e Çmimit, si dhe Dr Mirella Cristina, Deputete Parlamentare në komisionin e Drejtësisë, avokate dhe gazetare si dhe anëtare e Komitetit Shkencor.

Për t’i dhënë autoritet nismës ishte edhe Komiteti i Nderit, i cili përfshin: Nico Spuntoni, Francesco Mura, Francesco Lenoci, Goffredo Palmerini, Roberto Sciarrone dhe Vinicio Leonetti, figura referuese në panoramën gazetareske dhe kulturore.

Ndër të vlerësuarit italianë me Çmimin Ndërkombëtar të Gazetarisë u renditën: S.E. Card. Fernando Filoni, Anna Maria Esposito, Brunella Bolloli, David Parenzo, Giovan Battista Brunori, Giulia Sorrentino, Manuela Sain, Maria Rita Grieco, Marilena Vinci, Massimo Giraldi dhe Silvia Grassi.
Çmimi Gazetaresk “DRITAT E SË VËRTETËS”
seksioni i gazetarëve të huaj, të propozuar nga promovuesja kulturore ndërkombëtare Angela Kosta, përfshin: Aleksandër Çipa (Shqipëri), Alketa Gashi Fazliu (Kosovë), Tarana Turan Rahimi (Azerbajxhan), si dhe Marinellys Tremamunno (Venezuelë), duke konfirmuar profilin gjithnjë e më ndërkombëtar të nismës.

Hapësirë e gjerë iu kushtua edhe brezave të rinj, me të rinjtë e vlerësuar Angelo Baracco, Antonio Errigo, Federica Tomasello dhe Mulengezi Adolphe Mihingano, në mbështetje të talentit në rritje dhe të një gazetarie të përgjegjshme e cila sheh me dinjitet drejt së ardhmes.

Vlerësimet e dorëzuara gjatë ceremonisë janë vepra origjinale dhe unike të artistit nga Salento, Tommaso Filieri (Galatone, Lecce), të realizuara me dorë dhe të konceptuara si simbolë autentikë dhe të papërsëritshëm të vlerës etike të profesionit.

Roma, zemra institucionale dhe kulturore e vendit, mirëpriti Çmimin Gazetaresk Etik “Dritat e së Vërtetës” në një seli me vlerë të lartë simbolike si Ministria e Kulturës, duke forcuar lidhjen midis informacionit, përgjegjësisë qytetare dhe trashëgimisë demokratike.
Të gjitha mediat e ndoqën nismën me vëmendje, duke i njohur vlerën kombëtare dhe ndërkombëtare në promovimin e një gazetarie të ndërgjegjshme, të lirë dhe të orientuar drejt së mirës së përbashkët.

Salla Spadolini, e vendosur brenda Ministrisë së Kulturës (MiC) në Romë, mban emrin e Giovanni Spadolini, historian, gazetar dhe politikan italian, themelues dhe Ministri i Parë për Pasuritë Kulturore dhe Mjedisore në vitin 1974.
Ministria simbolizon lindjen e dikasterit, i ndarë nga Ministria e Arsimit Publik, për të mbrojtur në mënyrë të pavarur trashëgiminë kulturore dhe mjedisore italiane. Spadolini, si historian dhe njeri i kulturës, e konceptoi Ministrinë jo si një institucion burokratik, por si një përkushtim ndaj mbrojtjes së trashëgimisë artistike dhe historike italiane, duke e konsideruar atë si një pasuri të gjallëruese dhe lëvruese për vendin.

Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT