Fijet e dashurisë
Vashë e mirë n’këtë botë të keqe
Pse më lë kaq shumë të vuaj?
Isha i drejtë, s’të bëra leqe
Mos më trajto për të huaj!
Me mirësi, dashuri dhe bindje
Ty t’u qasa unë në çdo rast
Mos ma kthe me mospërfillje
Do të jem i yti në çdo orë e çast.
Trokitja jote në portën time
Jetën ma shton ma mbush gëzim
Do m’bëhet mal kjo zemra ime
Kur të më hidhesh në përqafim.
Oh sa mall kam për ata sy t’bukur
E për atë gojë t’ëmbël si ai fiku i zi
Eja të pres, ti më bën të lumtur!
Ma falë atë shpirt mos m’lë në vetmi!
Si oazë bleroshe në shkretëtirë
Më vjenë në botën time të trazuar
Më sjell paqë n’shpirt, si drita n’errësirë
O vashë arbërore Zoti të ka bekuar.
Kjo jetë e bukur bëhet edhe më e mirë
Kur ne e qëndisim me fije dashurie,
Prandaj kalon shpejt si me pahirë
Shkon rinia e vjenë kohë pleqërie.
Një Zot i madh që është në qiell
E që ne i falemi të gjithë atij
Zot në këtë tokë dhe dritë e diell
Është vet e hyjnishmja dashuri.
