Ylli kosovar po kërkohet nga disa skuadra evropiane, përfshirë këtu ato spanjolle, angleze, italiane dhe turke.
Së fundmi, në garë për “Piratin” është futur Galatasaray, i cili e sheh atë si pasues të Mauro Icardit, që mund të largohet nga Stambolli pas një sezoni të jashtëzakonshëm.
E ndërkohë, gjiganti turk mund t’ia mësyjë përfaqësuesit kosovar, i cili e bëri po ashtu një sezon të madh me 15 gola të shënuara në La Liga.
Klubi ishullor spanjoll ia ka vendosur çmimin kartonit të tij prej 20 milionë eurosh.
E Lazio po shpreson që Mallorca ta shesë me këtë çmim 29 vjeçarin.
Ju do të thoni pse?
“Biancocelesti” kur e kishin shitur Muriqin në Mallorca, marrëveshja mes tyre ishte që në shitjen e ardhshme eventuale të lojtarit, klubi italian do ta merrte 45% të shumës.
E kjo i bie që, nëse prizrenasi shitet për 20 milionë euro, 11 milionë do t’i marrë Mallorca dhe 9 milionë Lazio, shkruan “Gazeta Express”.
E ato para më pas Lazio po synon t’i shfrytëzojë për blerjen e ndonjë futbollisti tjetër.
Mbetet të shihet nëse ndonjëri klub i interesuar për Muriqin do ta paguajë këtë shifër.
