Monday, October 13, 2025
BallinaKulturëMANIFESTIM PËRKUJTIMOR NË NDERIM TË DËSHMORES FATIME HETEMI NË 27-VJETORIN E RËNIES

MANIFESTIM PËRKUJTIMOR NË NDERIM TË DËSHMORES FATIME HETEMI NË 27-VJETORIN E RËNIES

Bistricë, 28 shtator 2025 – Sot, në lokalet e shkollës fillore të ulët “Kadri Bistrica” në fshatin Bistricë të Albanikut (Leposaviq), u mbajt një manifestim përkujtimor kushtuar dëshmores së kombit, Fatime Hetemi, në shënim të 27-vjetorit të rënies së saj heroike.

Organizator i këtij aktiviteti madhështor ishte shkrimtari dhe publicisti i njohur i kësaj treve, z. Bajram Muharremi-Bistrica, i cili përmes fjalës së tij kujtoi jetën, idealin dhe sakrificën e Fatimes për lirinë e Kosovës.

Manifestimi u begatua me fjalime e kumtime përkujtimore nga personalitete të njohura të kulturës dhe të luftës. Profesor dr. Sadri Rexhepi solli një reflektim akademik mbi rolin e grave në rezistencën kombëtare, duke e cilësuar Fatimen si një simbol të qëndresës dhe sakrificës. Poeti dhe botuesi Ruzhdi Gashi dhe Zymer Mehani i dhanë tonin e merituar letrar ngjarjes me poezi dhe refleksione për idealin e lirisë. Ata lexuan vargje për heroinën Fatime Hetemi dhe për nënën martire, EMINEN, të poetit Bajram Muharremi-Bistrica. Ndërkaq, veterani i UÇK-së, z. Ramë Jashari, përmes përjetimeve të tij të drejtpërdrejta nga lufta, solli në kujtesë sakrificën sublime të dëshmores.

Veç fjalimeve, takimi ishte i ngrohtë edhe nga prania e familjarëve të Fatime Hetemit, të cilët ndanë emocionet dhe krenarinë për bijën e tyre, e cila u bë pjesë e përjetshme e historisë së kombit.

Manifestimin e nderoi me pjesëmarrje dhe me një fjalim rasti edhe z. Lulzim Hetemi, kryetar aktual i komunës së Albanikut (Leposaviq), i cili është edhe vëllai i dëshmores. Ai falënderoi organizatorët, bashkëfshatarët dhe të gjithë pjesëmarrësit për kujdesin e treguar në ruajtjen e kujtimit dhe lavdisë së motrës së tij, duke theksuar se “sakrifica e saj është një udhërrëfyes i përhershëm për brezat që vijnë”.

Sipas traditës së banorëve të Bistricës, për mysafirët e shumtë u shtrua një drekë në restorantin e familjes Hetemi në Bistricë, ku bashkëbisedimi dhe kujtimi për dëshmorët vazhdoi në një atmosferë vëllazërore e respekti. Pas kësaj, shkrimtarët e përmendur vizituan fshatrat Cerajë dhe Sllatinë. Ceraja është e njohur si vendlindja e poetëve Jakup Ceraja, Ejup Idrizi dhe Sabit Idrizi, ndërsa Sllatina njihet si vendi ku më 1941 kishte rezistuar dhe kishte ra heroikisht Kadri Bistrica, emrin e të cilit e mban edhe shkolla e fshatit.

Ky itinerar përkujtimor, që bashkoi kujtimin për dëshmoren Fatime Hetemi me figurat e tjera të shquara të trevës, dëshmoi se trashëgimia e rezistencës dhe e kulturës shqiptare është një vazhdimësi që kalon brez pas brezi. Kujtimi për dëshmorët nuk shuhet kurrë, ndërsa ideali për të cilin ata dhanë jetën vazhdon të mbetet frymëzim i gjallë për kombin.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT