Përse hesht secila fjalë
Duke dashur një fillim
Të ri krejt të ri
Dhe më pastaj
Të marrë ndonjë tingull
Një zë kumbues rrugës
Po s’ka fillim pa ty Babë
Se pas heshtjes lind uragani
Sepse sa e sa herë
A nuk më flisje
Me sytë tek të shndrisnin
Trishtimin duke mbuluar
Siç dije Ti Babë Ti
Të vërtetën ta thoshe
Heshtur urtësisht pafundësisht
Tani ajo rilindet në mua
Si imazhi Yt i munguar
Babë erdha në zemër Europe
Të gjej të vërtetën Tënde
Në intonime himnesh
Në marshe ngadhënjimesh
Në çaste dëshpërimesh
Po e shoh Babë po e shoh
Mes këshillave të Tua
Dëgjo jeto dashuro
Për hakmarrje ka kohë
Kalldrëmet dinë të vrasin
Kur heshtja mund trokun
E në mua ngulitet detaji
Për të cilin Ti u shkrive
Për të ruajtur përjetësinë
Babë o Babë
Golumja jote
