Të mendoj…
Herë -pas here të mendoj
në çdo sekond,
dhe atëherë
malli zgjat trupin për tek ti
me duart bërë grusht,
m’grushton gjoksin,
… çmendem…
Ndiej si shkundet nga rrënja
qenia ime,
mendimet bien si lule
në oborrin e kështjellës tënde,
ndërtuar në vite
me gjuhën e zjarrtë,
me mure të gurtë e porta të drunjta ,
ku mola bren pritjen
dhe vdes e mbingopur prej saj
…
Të mendoj me të njëjtin mall , të gjallë
dhe të ndiej tre shekuj larg
në sekondin e parafundit të minutit ,
që s’i dorëzohet
ngushticës së frymëmarrjes,
një milimetër larg puthjes
derisa, minuti i plotë vjen
e më plotëson me ty,
si fryma nën frymë..!
