-TY-
Të kam fshehur…
në rrudhën mbi ball, që mallin plak,
në një buzëqeshje të kuqe,
në kërcitjen e dhëmbëve që bluajnë ankth,
në dy riga lot, lënë peng detit,
në sekondat që matin frymëmarrjen e thellë,
në shtypjen e zemrës që klith lutje,
në dhimbjen e shpirtit që s’mpaket…
Të kam fshehur…
në murmurimën e yjeve, ku këputen dëshirat,
në sytë e pagjumë të qiellit tonë,
në shtrëngimin e ëmbël në gjoks
në gjakun blu që vërshon,
në venën e fryrë që fsheh britmën,
në arterien e mpirë, ngushtuar nga një pikëpyetje…
Të kam fshehur…
në fushën e grunjtë preludë, që ngjyros ajrin
në retë e kthyera përmbys në një shtrat mavi,
në shiun e ndjenjës, që ujit kopshtin me tulipan të bardhë,
në tokën e pluguar me ëndrra
në rrugën me një korsi,
në pemën e shegës së egër, mbjellë pranë një pusi,
në rrënjët e zbuluara, të etura për diellin….
Të kam fshehur…
në gjurmët e mia,lënë në pluhurin e një shtegu të virgjër,
për ringjalljen e jetës në ty…
… të kam lënë zbuluar
vetëm në vargun e shkruar …
…Jam unë
…..të dua!
