O portat e gurta sa mall e sa dhimbje,
Në çdo pulsim zemre në çdo hap fëmije,
Këtu u gjeta,këtu mbetët pa ndryshuar,
Myshku i kohës supet ju ka rënduar,
Shumë histori këtu flenë,në gurë u ngujuan,
Sa dasma,gëzime dhe lindje, ju përjetuat !
Sa vaje,këngë e valle me hapa të rëndë!
Urim’ nëne e besë burri lidhur në kuvënd!
Bejte e dolli nga burrat e parë,
Sofrat shtruar plot nga zemrat hambarë,
Plot përplotë rrugicat me djem dhe vajza,
Aheng e hare dita edhe nata,
Filli i mendimit nis e tirret larg,
Para syve shfaqet një dekor i rrallë,
Vrapojnë vogëlushët deri vonë pas darke,
Kapin xixëllonja lodrojnë në sokaqe,
Edhe nënat tona amvisa të arta ,
Na shtrojnë mëngjeset dreka edhe darka,
S’u ankuan kurrë as ditën as natën,
Ato përballuan të ftohtin dhe vapën,
Kafen bashkë e pinin në potonë të portës,
Nën qemerët e tyre me gurë alabastër,
Lyer me gëlqere si borë e bardhë e pastër,
Me shtiza në duar vritej varfëria e kohës,
Si shoqe si motra,në krahë të njëra-tjetrës
Çdo mëngjes vraponin të gjith’ për në punë,
Dilnin bagëtitë në kullotë me zhurmë,
Të vegjëlit në kopshte e çerdhe shkonin,
Të tjerët në shkollë si ëngjëj vraponin
Gjyshërit tanë të dashur na prisnin në port’ ,
Përqafimi i tyre,nuk përshkruhet dot,
Sytë u shkrepëtinin kur na merrnin pranë,
Në gjoks na shtërngonin na puthnin në ballë,
Filli i mendimit,ec,e ec,e s’ndalet,
Një loti i nxehtë më zbret tek faqet,
Pa zë,psherëtima,del nga zemra ime,
Eh portat e gurta më futët në mendime,
Heshtësia e tyre pragje plot me mallë,
Gjith kjo bukuri më gëzim s’më fal’ ,
Bilbila thëllëza gjelbërim dhe ujë,
Myshku nëpër harqe,pa folur,flet shumë !
