S H I N A T
Eh, ju shina, shina, shina!
Gjithmonë ecni krah për krah,
Anës lumit, mes lëndinash,
Vite, shekuj me një hap…
Asnjë para, asnjë prapa,
Binjake shkoni paralel,
Tokës i shtrëngoni gjoksin
Me të hekurtin tegel;
Fryjnë e sfryjnë trenat mbi ju,
Mbartin mallra, mbartin njerëz,
Siç i mbajnë babait mbi supe
Arkivolin të mirët vëllezër.
VARGJE ATJE – KËTU
I
Unë ndjell zogjtë si fëmijë
Dhe pranverën pres që të vijë;
II
Dielli i fshehur pas pyllit
Si barku i një gruaje shtatzënë;
III
Përtej kanatës fryn erë e parfumuar,
Qëndron në këmbë horizonti,
Qielli derdhet në dorën tënde
të pamësuar;
IV
Nata shtyhet ngadalë
Unë,
si një shkëmb i padukshëm
Shkrihem me të
valë-valë;
V
Toka plot vlagë lëkundet
Dhe gjilperat e mesnatës
Mëngjesit i qepin fustanin;
ME IKU DUARSH, O PERENDI!
– nga vëll. Lirikat e Veriut –
O Zot, që je i amëshuar,
Që nuk ke vdekje, po merr jetë
Mua përherë më ke dënuar,
Por çfarë kam bërë, s’e di, vërtet’.
Një jetë njeriu kisha në duar
Por s’e dija, s’e dija aspak,
Zemra priste e lehtë, e truar,
Si një drer i ri, i rënë në lak.
Po pse, kaq vonë, e kam kuptuar
Zemrën time delikate?
Ah, ti mëndje, qofsh mallkuar
Kur humbe dhe atë që pate!…
Te Zoti fajin e kam kërkuar
Në altarin e tij jam lutur kot,
Po qiellin reja kishte mbuluar
Dhe s’e gjeja dot, s’e gjeja dot!
Jetën që m’erdhi në këto duar,
Ku e lashë vallë, e humba krejt?
S’pata guxim për të luftuar,
Me këngë malli e çikja leht’.
S’pata guxim, as për të besuar
Se isha në ëndërr a skllavëri,
Tani që u zgjova për ta shtrënguar
Ç’më iku duarsh, o Perëndi!
O Zot i madh, i amëshuar,
Që përherë je i plotfuqishëm,
Ditët shtyn ti pa pushuar
Ma afro atë çastin e madhërishëm!…
