(Atdhe, na fal‘ të lutem!)
Atdhe,
Më fal‘ të lutem shumë
Për ngulfatjen në frymëzënje
Për përbuzjen me ngërdheshje
Për lakuriqësinë e pamoralshmërisë sonë
Unë, frytnimi i lakmisë djallëzore,
Të kam zënë peng frymëmarrjen
Emrin me përbuzje ta thëm
Syrin kullufitës mbi dorëzhvatje vura
Me ftohtësi ndjesie vëzhgoj grahmat tuaja n‘lëngim
E as që ndjeva keqardhje sall njëherë të vetme
Po kush dreqin kénkam unë
Që as edhe njëherë përgjegjësi për veten s‘ndjeva
As pesë pare për kori të émnit t‘At‘s s‘i dhash
E as dy grosh për mëkatin ndaj teje
Ah sa zhgënjim për mjerimin tim
Sa herë shfletoj gjurmëve të hershme
Si nuk mu dhimbsën rilindasët
Me sy çelë shkuan dhe me brengë për pasardhësit
Devijimin tonë e shihnin në ardhje
Të lehta ishin vdekjet nga tuberkulozi
Verem e mehlem për ikje zemërthyer
Më rëndë i vriste shartimi ynë shpirtshitun e emërmykun
Djallëzor e aspak arbëror
Sa me emra haxhiqamilësh e sa me turli harambashi
As dertin s‘ta kjava
As ofshamen s‘ta ndjeva
As lotin s‘ta thava
Edhe kur zemrën ta theva
Edhe kur shpinën ta ktheva
Ah o Plangu i eshtnave të ADN-së témé
Komb të bënë
KombShtet nuk të bëmë
Të ngulfatem në gjëmë
Ne birt‘ e shekullit t‘përmbysur,
Ne marshuesit e shtegut të braktisur
Ne … ne të yshturit n‘kamje
Ne … ne të mbyturit, të mykurit n‘shamje
Ah … ti mbetsh pa mue
Me dheun tënd ma mbulofsh turpin
E unë … unë pa ty mos mbetsha kurrë
Oj Tokë e dhuruar nga Hyu-Zot
Që as po dimë as po duam të të duam dot
Më pak se dje, më aspak se sot
Sa shumë u zhgënjeva në veten témé
Sa fort u ftoha në vëllaun
Jo n‘djallin … as n‘shkjaun
Ata i njihja, por veten s‘e dinja
Sa i lig … sa i lig … frymoj
Ah ah, nuk po kokërroj më gjatë
Do t‘më vret kjo lëngatë
Të gjallë po, por të ngratë
Atdhe … lutja ime sot e n‘mot:
U kthefshim kah e mbara
Sa nuk na u tha rrënja e nuk na u vyshk fara