Shpirti i gruas ka ndjeshmërinë e gjethes,
kujdes kur derdh lotë,lëre të qajë në heshtje…
Mos prek nervin që i nxit dallgën e urrejtjes,
se i hidhërohet zemra nga qejfmbetjet!…
Intimiteti i gruas s’shihet kur e ke zhveshur,
as kur ëndërrimeve shkoni shtratit heshtur.
Atë e gjen të florinjtë,kur thua fjalën malluar,
kur shpirti i saj shtrihet buzës për të dëgjuar.
Shpirti i një gruaje është kështjellë misteri,
nëse hyn me forcë,mund të prekësh ferrin,
nëse përdorë çelsin e buzëqeshjes së dëlirë,
portën e misterit ,ajo ta hap me dëshirë…
SHPIRTI I FEMRËS ËSHTË FLUTUR VALE
Kthejani ëndrrat,ëndrrat ku fle liria,
vitet e vajzërisë,që deshi shumë,
fshijani lotin,që s’ia fshiu shamia,
me valën zbardhuar me shkumë!
Mos ia ndrydhni zemrën femrës,
as në kafaz, mos ia mbyllni kurrë!
Mijëra flutura gjallojnë prej zemrës
dhe kaltërsive rendin pa zhurmë.
Thellësive zhyten,ku fle misteri,
aty ,ku sirenat flasin një gjuhë,
urtësisht vjelin ngjyrat që ka ylberi,
e sërish futen shpirtit pa bujë.
Shpirti femëror, është flutur vale ,
flutur që s’gjen prehje asnjëherë,
se ëndrrat e saj,nuk flenë në paqe,
për aq kohë,sa djalli troket në derë…
GRUA ,JE PARAJSA E TOKËS…
Një grua ta ndryshon jetën,në çast,
dashurinë e shpirtit ta fal diamant të rrallë,
të thotë me butësi:Parajsa fshihet lart…
E ti vjel hiret e fshehtësisë si i marrë.
Një grua ta rrëmben zemrën me takt,
të lidhë skllav, pas bukurisë së saj
dhe krejt papritur,harron të bësh një pakt,
sipër lëkurës sharmante humbet si valë.
Një grua në çast,bëhet ëngjëll e djall,
të fut ndër kthetra si zogun e ngratë,
me qerpikun e afshtë kurmin ta përflak,
e ti pa kuptuar pëshpërit:Oh gratë!…
Një grua ta ndryshon jetën në çast,
nëse je vagabond,të bën qingj manar,
të rrëmben,me ritmin e zemrës së saj,
e ti zbret memec drejt lëkurës së bardhë.
Një grua ta qep vdekjen,me syn’ e vrazhdë,
të mbështjellë të tërin,me fijet merimangë,
pastaj mbi buzë të pikon gjoksin me afsh,
e ti thua:”Ah,grua,që mbyll e hap plagë!”
Një grua bëhet zanë e heshtur nëpër natë,
bëhet vesë që rrëshqet mbi barin e thatë,
e ti ngjallesh qeshur,trishtuar vdes ngadalë,
mbi fytyrë të rrudhur,a pikturën e gjallë.
Një grua të bënë dashnor,për një natë,
kur lëkurën zhvesh, si shega në fllad,
ta servir me dëshirë hiret e trupit të saj,
e ti,i rraskapitur pyet : Zot,ku jam vallë ?!
Një grua të bënë të derdhësh lotë në çast,
të ndjell me frutat e kopshtit parajsë,
dhe lotin puthëron me çmendurinë e saj,
çel sensualisht,pavarësisht moshës që ka.
Një grua mund të bëj të çmendesh në çast,
të pushtosh Edenin,nga ngrica në vapë,
me mollëzën e gishtit lyen buzën avash,
e rrëkezës së saj,vdes e ngjallesh prapë.
Ah,një grua ta ndryshon jetën në çast,
dashurinë e shpirtit ta fal diamant të rrallë,
të thotë me butësi: Parajsa fshihet lart…
E ti mbetesh vjelës i palodhur i hireve të saj.
