Era ishte e ndjeshme dhe e bukur si një lule. Në ndryshimet emocionale të saj ndikonin ndonjëherë edhe kushtet e motit.
Ashtu e zymtë siç ishin atë ditë retë, qëndronte e heshtur, por në fakt ajo ziente përbrenda si një vezë në valë. E zhgënjyer dhe e lënduar deri në palcë, ecte e menduar, e përhumbur në pluhurin e kujtimeve.
Këmbët e çuan, pa e kuptuar, në bregun e detit. Aty u përqendrua për disa momente, duke vështruar valët që godisnin butësisht rërën.
Era kishte ardhur edhe herë të tjera aty, sa herë që gjoksi i shtrëngohej si një limon në grusht nga një ndjenjë e çuditshme.
Era e lagësht i ngatërronte flokët e verdhë – ato kaçurrela si mimozat e marsit.
Në duart që i dridheshin sikur ta kishte zënë korenti, shtrëngonte fort një copëz letër, e cila ishte e vetmja gjë që i kishte mbetur nga dashuria e saj e humbur.
Ajo e dinte tashmë se ai nuk do të kthehej kurrë më. Por as Era nuk donte të rikthehej më tek ai.
Të dy i kishin premtuar njëri-tjetrit shumë, por jeta ishte një labirint me plot të papritura. Treni i jetës kishte marrë një drejtim tjetër.
Kishin ëndërruar net të tëra të ndërtonin një jetë së bashku, por distancat kishin bërë të vetën.
Era e hapi letrën për një çast dhe lexoi fjalët e fundit që ai i kishte shkruar:
“Mos më harro kurrë, zemra ime, edhe nëse jeta do të na ndajë.
Do të jesh gjithmonë shpirti i zemrës time.”
Një pikë loti, si një kokërr breshëri, i rrëshqiti Erës mbi letër, duke e njollosur me bojë në atë pjesë.
Pastaj bëri një frymëmarrje të thellë dhe e lëshoi atë copëz letre – të shtrenjtë për të si një pergamenë – në lirinë e flladit të erës.
Nuk dëshironte ta digjte; i dukej sikur do t’i digjej vetë qenia.
Kishte ardhur koha të linte pas kujtimet.
Ndoshta varka e tyre nuk ishte e thënë të mbytej.
Ndoshta i mban kripa e detit, ashtu të patretura përjetësisht.
Valët morën me vete letrën, lotin dhe fjalët e pathëna të Erës…
