Një mësues kthehet në vatër lirie
Zemrën mund ta bëjë oxhak me prush,
Mund të ngrohë me avull duart e një fëmije
Dhe fjalën mund ta bëjë pellush.
Të jetë i butë kur nxënësi humb drejtimin,
“Ja, kjo është rruga”, ti thotë: kujdes.
Të jetë sa më bindës për mendimin
Që rrugën mos ta lerë në mes.
Një mësues është njësoj si prind i dytë,
Të fut në shpirt dashurinë për dijen,
Të udhëheq të shohësh dritën si dritë,
Të njohësh jetën, diellin, hijen…
Çdo mësues është yll për çdo errësirë,
Sinonimi më i gjetur i fjalës dituri.
Të mëson si të bëhesh një njeri i mirë,
Se si mund të dhurosh dashuri.
Lodhjet, kilometrat, i mban në ditar
Shpresën dhe ëndrrat i mban në gji
Veç të nxjerrë brezat udhëtarë
Harruar veten, jetën e tijë.
Një mësues i mirë – një njeri i madh,
Një jetë me libra, një jetë shpirt fortë.
Çdo thinjë floku, dëborë e bardhë,
Është e provuar shqotë më shqotë.
