MOS VRAPO
Më prit mos vrapo pa mua
Ka kohë ende për të mbërri
Atje ku na pret agimi ynë i ndritur
I buzëqeshur me dritën e syve tanë…
Shiko dhe shijoje ngjyrën e qiellit
Që ka ëmbëlsinë e buzëqeshjeve
Dhe bie mbi ne si shiu i shikimeve tona
Pranverë për të sjellë në kopshtet e zemrave…
Mbrëmja do orë që të vijë
Apo ne po vonohemi të arrijmë mëngjesin
Dhe unë s’dua të mendojmë tani
Hëna akoma nuk ka zbritur
Në supet e errëta të natës
Për t’i dhënë fund ditës që na duhej
…
Hëna ende s’ka bërë vijën e nisjes
E shikon diellin që ndrinë si sytë tanë
Ashtu si shpirti yt i bukur
Ashtu si shpirti yt i çiltër…
Edhe ajo xhelozon lidhjen tonë
Zbret e na ndjek bëhet medaljon mes nesh
Duke na përcjell me buzëqeshje
Përjetëson ironinë e fatit…
Mos vrapo
Ka ende kohë të zbresë mbrëmja
Me heshtjen e saj mbi supe të lodhura…
