Heshtjes së mërdhirë,
mëhallë e tërë rënkon,
përtej pragjeve zëra pa tinguj,
qosheve kuvendojnë.
Prej banorëve të larguar,
ajri përreth i shteruar,
lojërave të kohës së shkuar,
zëra fëmijësh kumbojnë shurdhuar.
Në rrugicën mbetur shkretë,
në anë të portës së shtëpisë,
mbi një stol kruspulluar,
një nënë e vetme sytë gjezdis.
Monotonisë e raskapitur,
vështrimin hedh andej-këtej,
pret dikush të kalojë,
dy fjalë me të të këmbejë.
Dhe ja së largu një siluetë,
i mëhallës mendon do jetë,
i panjohuri teksa afrohet,
me fjalën nënë i drejtohet.
Buzën vë ajo në gaz,
psherëtimash e përshëndet,
me vështrimin nga e shkuara,
mundohet të gjejë me kë i ngjet.
Ditë pas dite koha shket,
në mëhallë mbetur ca pleq,
të rinj e fëmijë me pikatore,
rrugic’ e shkretë mbetur pas dore.
Ndoshta një ditë faqja ndërron,
dikush dëshirës ende shpreson,
se rrugica mbetur shkretë,
kështu siç është, nuk do të jetë…
