MIRËMËNGJESI,PRISHTINË
Moj Prishtina ime
Një mollë me dy faqe;
Në njërën me trishtime,
Në tjetrën shpirtilaçe!
Të erdha si zog,Prishtinë,të erdha,
Më kishte marrë malli tepër,ti e di…
Tërë pengun,në parzmin tënd e derdha
Me ty u rrita,ndaj s’është çudi!
Urova për ty,Prishtinë
Të më bëhesh Hënë;
Ma ndrite fëmijërinë,
Unë të bëra Nënë!
Të ëndrrova ndryshe:
Me gaz e me parqe;
Nga ç’shigjetë u ngryse
E mbete pa një faqe?
Kush ta gërvishi fytyrën?
Unë të doja një dritë tjetër!
Kush të futi mynxyrën
Të bënë as kungull as pjepër!
Kush ua mori hovin
Vashave si perri?
Në njërën faqe ke zjarrin,
Në tjetrën vetëm hi!
Poezi nga Sylejman Qyqalla
