Natyrë
Tek vrapoja me nëntëdhjetë,
u ndesha me një bagëti.
Ndala sa të kalonte
e nga xhami i makinës
vështroja fushën e blertë
dhe malet me borë përpjetë.
Më arriti në flegrën e hundës
aroma e deleve
e më kapi një lakmi
jete të thjeshtë.
Nëse do të kisha qenë më i guximshëm,
do ta kisha lënë makinën
për të ndjekur delet
bashkë me barinjtë.
Çfarë këngësh,
midis malit dhe fushës,
këndova brenda makinës,
gjatë tërë udhëtimit.
Burimi
Duke ndjekur gjurmët e stërgjyshërve,
kam ecur pesëqind vjet,
me këngë arbëreshe në buzë
e sot ua gjej burimin
dhe i lisave, i erërave
i fshatarëve, i punëtorëve
unë jam vëlla.
E shenjtë kjo tokë,
i shenjtë ky qiell
e nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur
dhe juve jua fal këngën time.
Në aeroport
Gusht i vonuar. E unë
i kredhur në zhegun
e aeroportit të Tiranës
shijoja një ditë fëminije,
duke kërkuar fillin e bjerrë.
Nga pista e fluturimit,
një zë më thirri:
Mirë se vjen, vëlla Vore!
Prej kah vinte ai zë?
Ishte vallë zëri i babës
apo zëri i vëllait?
Të dallova e m’u duke
një shtegtar udhëtimesh të gjata,
nën qiej të shndritshëm.
Dëgjova përshëndetjen e ngrohtë
dhe pashë fytyrën e butë
ku lexova sihariqe të sigurt.
Nga sa mot ne u kishim ndarë?
Oh, rrahje zemre!
Askurrë s’kam qenë ashtu i lehtë
në hovin tim të pastër.
E më rrethuan krahë.
brenda një rrethi vllazërie.
Pastaj vrapuam drejt Tiranës
dhe e ndjeva veten një zog
me cicërima dielli në gjoks.
Gra të gëzueshme nëpër fusha
i buzëqeshnin birit që kthehej.
