Këngëtarja lirike Olsa Pema, pas një rrugëtimi të gjatë artistik prezantohet në një koncert intim e plot ndjesi – “MY WAY”. Koncerti do të jetë të shtunën në 18 Tetor, ora 19.00 në Teatri “Andon Z. Çajupi”, Korçë.
Kontribuan për recitalin: Koncert maester: Kledia Toshi /Drejtues artistik: Emma Kanci /Skenari: Irma Kurti/Regjia: Blerta Belliu
Në koncert do të ndërthuren në një binom të ngushtë muzika dhe fjalët, tingujt dhe tekstet, të përcjella me ngrohtësi nga zëri i këngëtares. Olsa do të sjellë për dashamirësit e muzikës klasike këngë të repertorit të saj në gjuhën shqipe, arie si dhe këngë napoletane.
Me një zë të kthjellët, melodioz, plot timbër dhe transparencë, Olsa ka përshkruar një rrugëtim të gjatë për të arritur deri këtu. Pa u ndalur, me modesti, me pasion dhe këmbëngulje, me dëshirën për të gjetur thelbin e saj artistik dhe për t’u bërë njësh me muzikën, ajo ka lëvruar si muzikën qytetare ashtu dhe atë lirike duke e udhëhequr publikun me profesionalizëm dhe me natyrshmëri drejt një bote emocionesh.
Do ta pasurojë koncertin interpretimi i tenorit Noel Prifti, student në Akademinë e Arteve në Tiranë. Një hapësirë do të këtë edhe për pianisten e vogël, Doris Xhinaku, e vlerësuar me çmimin Carola Grindea si dhe me çmim absolut në Konkursin Ndërkombëtar Pianistik 2025. Dorisi do të interpretojë një vals nga Tonin Harapi dhe Carillon nga Remo Vinciguerra.
Lidhja e Olsa Pemës me muzikën e lehtë qytetare është e veçantë dhe unike. Bashkëpunimet e shumta me kantautorin Nonda Kajno u finalizuan me realizimin e albumit “Në Pragun e Magjisë”. Pjesa më e madhe e teksteve te këngëve të saj janë shkruar nga poetja Irma Kurti me banim në Itali. Olsa ka bashkëpunuar edhe me autorë te tjerë, si kantautori korçar në SHBA, Petrika Agolli, me te cilin ka realizuar një sërë projektesh në zhanrin e lirikës qytetare korçare, si dhe me kompozitorin e talentuar italian Galliano Borsato, me të cilin ka lëvruar muzikë me karakter bashkëkohor e eksperimental, si dhe një videoklip. Duke u përballur me sfida të mëdha, ajo është ngjitur në skenën e veprimtarive të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare, si përshembull në disa edicione të “Festa e kenges shqiptare”, konceptuar dhe drejtuar nga maestro Gjergj Leka.
Olsa Pema sapo është kthyer nga një përvojë studimore në universitetet amerikane, në fushën e kulturës, financuar nga Departamentit i Shtetit. Me një karrierë te sukseshme akademike, përgjatë së cilës ka realizuar shumë botime, artikuj shkencorë dhe tekste universitare, duke u vlerësuar edhe me titullin “Doktor i Shkencave në Gjuhësi, ajo tanimë i përcjell publikut një muzikë elitare.
Vetë titulli i koncertit MY WAY, shpërfaq mënyrën origjinale të interpretimit të Olsës, vullnetin për të ecur përpara, për të njohur veten përmes muzikës, për të interpretuar me zërin e shpirtit, me ndjenjë dhe emocion. Rruga e ndjekur nga Olsa është unike, ajo është e aftë të prekë akordet më të thella të shpirtit njerëzor dhe të ngjallë një ndjenjë qetësie dhe shprese.
