Tuesday, April 7, 2026
BallinaVitrina e libritNamik Selmani-Baladë për Ali Podrimjen

Namik Selmani-Baladë për Ali Podrimjen

Baladë për Ali Podrimjen

Ooo, breeeee, s’po më hykan sot në sy Ejfeli e Sena kaltërore
Për ty, Bacë, sytë m’i mrroli pikëllueshëm dhimbja
Po ku je, ta marrim sërish lumnueshem fjalëshqipen për dore?
E të gjithëve të na thërrasë në kullë nga mot RILINDJA.


Ta donim fjalën –PËLLUMB ta hidhnim në Qiellin e Paqes
Të na jepte gazmendin e madh në dasmat e çikave e djemve
Ta donim këngën të lisnajtë, të trëndafiltë, me fjalët habertare
Për grunjërat e korra, lulërimin e barit e zbardhjen e netëve.


Të donim kapiten të patutur në Anijen arbërore të Fjalës.
E plagët e moteve të na i thaje gjer në koren e fundit
Për ty, ndezur do t’i mbajnë zjarret në oda tymtarët.
E fjalën-AMANET do ta mbjellim në pragun e katundit.


. Lumi po të pret i heshtur te Dera e bardhë e Parajsës
E pikëloti po i derdhet mbi faqe, si lumë, si një ortek
Në qiellin e trishtë të Prishtinës na plumbon gjerbimi i kafes
E dielli për ty fytyrën klithshëm të dy duart po i fsheh.


Shpirtit çam po i plasaritet kurmi mes ullinjve të pavjelur
Mes kukamës së mortit edhe qiellit po i thyhet brinja
Oooo, ku je lum MIKU, një varg ka mbetur jetim, i heshtur
E fjala-BAJRAK kërkon bardin e aedin Ali Podrimja

. Gjogu i Fjalës mentare kërkoka mes mallit si bir të të puthë
Mbi plismortin po na jep të gjithëve një kordele kujtese
T’u baftë fjala krua kristalor që zbret prej bjeshke, bash si LUMË
E tupan Sharri të na zgjojë vrullshëm me mijëra amanete.


Hej, Baca Ali! Grykë më grykë ta rrokim vargun
E tokës sonë t’i japim dritë, dritë
Nga muzgu në agim!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT