Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritNamik Selmani-Kalaja e pambaruar e shkronjës për Bilal Xhaferrin

Namik Selmani-Kalaja e pambaruar e shkronjës për Bilal Xhaferrin

Sot është përvjetori I ditëlindjes së Martirit të Demokracisë dhe Nder i Kombit Bilal Xhaferi

Meditim përballë një porte të rëndë të një libri për Meteorin e dhimbjes dhe krenarisë së brezave shqipfolës Bilal Xhaferrin

. Një libër për Bilal Xhaferrin nuk është thjesht një libër më shumë në kolanën e librave të tu ku ti ke vënë pasionin e dashurinë për shkronjën shqipe apo dhe të gjithëve të tjera kur ka qenë nevoja.

Nëse do ta prekja pak filozofikisht këtë libër të radhës, do të thoja se libri i ngjan një Kalaje. Një kalaje të vogël e të madhe. Në një shpat mali a në një fushë ku ka lule, grurë, tërshërë për kuajt e dasmave e të luftrave, por dhe njerëz që e duan lirinë jo më pak se malësorët me plisa të bardhë e me lahutën në muret e kullave të tyre. Me portikë të rëndë e me bedena të larta ku rrinë në roje luftëtarët e të gjithë kohërave ndërkohë që në kthinat e saj rriten fëmijë, bëhet loja e Thyerjes së Krahut, këndohen ninulla për djemtë e vajzat ende foshnjë, hidhen valle dhe në gjokset e buurave e gratë kërcejnë me majat e gishtërinjve, qëndisen shamitë për dhëndurrët e ardhshëm, tringëllijnë lahutat, gatuhet buka e ngrohtë, ku mbahet i tharë baroti për betejat e panumëruara që i presin luftëtarët, prijatarët.

Një kala mund të mos rrëzohet kur ia heq një gur nga bedenat e saj apo nga themelet, por ajo bëhet më e fortë kur i shton një gur më shumë . Sa më i rëndë më i vyer, aq më shumë kalaja merr më shumë madhështi.

Besoj se kjo metaforë i përket dhe Kalasë së Shkronjës për këtë autor disident. Sa më shumë gurë shkronjorë që të vëmë në pasjetën e Bilal Xhaferrit, aq më shumë nderojmë veten, aq më shumë i ikim borxhit të shkronjës për lavdimëdhenjtë e kombit, kudo që ata kanë frymuar, kanë punuar, kanë sakrifikuar e janë bërë martirë të gjallë të historisë dhe lirisë së kombit.

Kur nisa këtë libër si ide e si shkronjë, më shkoi në frymën e tij riti i shqiptarëve të Ulqinit në Bjeshkën e Rumisë.

Shekuj me radhë shqiptarët në një ditë të shenjtë të vitit, mbanin nga një gurë jo sizifian për ta ngjitur në majë. Djersët lumë. Gjunjë të lodhur në atë të përpjetë përvëluese drejt majës. Ëndërrflatrues për ditët që do të vinin.

Po ata duhet të ngjiteshin, qoftë edhe me kurrize të gjakosur, se donin që maja e Rumisë të ishte sa më afër zotit ku ato do i faleshin për mbarësinë e brezave. Duhet…

Nuk është thjesht emocion, obligim. Është më shumë se kaq se ai Bilal na bën në vite bilaldashës. Dhe me këtë histori jete, do jemi në breza. Fëmijët e fëmijëve tanë. Se ai nuk jetoi vetëm për jetën e tij. Jetoi dhe për ëndrrën tonë të lirisë. Të shkronjës. Të Çamërisë. Të Kosovës. Të kombit.

Libri i përket dy kombeve. Në kombin shqiptar vështirë që të gjesh një shkrimtar, një gazetar që të ketë shkruar kaq shumë për Kosovën që i mungonte liria. Pa asnjë mëdyshje ai ishte Arkitekti i Shkronjës për lirinë e pavarësinë e saj Dhe ato thika që një ditë donin t’ia merrnin jetën në Çikago apo djegia e redaksisë së revistës “Krahu i Shqiponjës” ishte “shpërblimi” i armiqve që nuk e donin diellin e shkronjës së tij.

Jo më pak ai i përket dhe shtetit amerikan që i dha atij strehën e qetësisë dhe lirinë e fjalës.

Të një ëndrre që shpesh na u gjakos, na u burgos, na u flijua tragjikisht.

Të një ëndrre që do na bëjë sot e kah mor shkronjëtarë të lavdisë që ai e ngriti me pasion, me forcën e butësinë e shkronjës, me gjak.

Të një ëndrre që në Shqipëri e këtu, në Amerikë, ku ai mbylli sytë para kohe do na bëjë më të guximshëm e më të mençur në vitet që vijnë. Jo për të kujtuar kalanë e rrënuar të Baladës së Urës po për të ndërtuar Kalanë e Shkronjës për të.

Libri nuk është në frymën e polemikës që shpesh e ka shoqëruar në gjallje e në pasjetën e tij.

Ai është një udhëtim në jetën dhe veprën e tij që na e bën më të gjallë.

Mendojmë se e ndjejmë mungesën e një libri të tillë. Librat e tij me poezi kanë nevojë edhe për një plotësim të informacionit me libra të tillë.

Libri ka një ndërtim të veçantë. Në të zë vend shkrimi problemor, reportazhi, poezia, fotografia, eseja studimi, tregimi që, mendoj se e bën më tërheqëse leximin në çdo moshë që të jetë lexuesi.

Ky libër mund të jetë pjesë e shoqatave shqiptare në diasporë, të shkollave që mund ta përdorin edhe si lexim plotësues.

Një libër më shumë për kujtesën e Bilal Xhaferrit apo dhe të atyre që e mbrojtën me pasion atdhetari dhe artisik, me mençurinë e shkronjës kombin e tyre, është më se i domosdoshëm

Të tjerë autorë mund të vënë më shumë gurë në kalanë shkronjore të këtij martiri, po modestisht e të qetë në ndërgjegjen krijuese, po e paraqesim vlerën e këtij njeriu që shkoi me kaq ëndrra dhe një ditë u kthye me arkivolin e heshtjes. Pa harruar se pasjeta e tij është e do të mbetet KUJTESË E BLERTË.

Boston-Tiranë, Sarandë tetor 2022

8

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT