Friday, February 6, 2026
BallinaVitrina e libritNamik Selmani-Kujdes, vadite shpirtin!

Namik Selmani-Kujdes, vadite shpirtin!

E di, që orën e saktë asnjëherë nuk ke harruar

Kur me një enë në duar vadit lulet e mbira.

Dhe në agim, dhe në muzgun e kuqëluar

Sytë të bëhen dritare ku ndrin kaltërsia.

I gëzohesh fëmijërisht gonxhes, petales së parë

Aromës së tyre që i japin aromë gjithë jetës

Kur këput një lule për ditëlindjen e gaztë

Sikur zbresin në sy dhjetë diej njëherësh.

Po lulet e ngrira mund t’i ndërrojë lulishtari.

Mbase janë dhe më të bukura në shportë.

veç shpirtin mos e bëj kashtë të thatë mullari

Asnjë minutë a orë në ditënetët që nxitojnë.

Se shpirti nuk është si tulipani e bardhësia e zambakut

Që mund ta sjellësh nga Hollanda, Egjipti a Roma

Ai i ngjan gurit më të rëndë të pragut e oxhakut

Ku gjyshja e thinjur kujton pengjet që i la koha.

Se shpirti s’është krem a si lulja vënë te buqeta

Që vyshket e hidhet te koshi me mbeturina

Në shpirtin tënd ka pjesë gjyshja dhe mbesa

Që s’duan të jenë si njeriu me paterica.

Ai është si njeriu që i gjunjëzohet gur i malit

Për ëndrrën që ka dhe e mbjell në jetë.

Lulja e pavaditur mund të të futë te mëkati

Po me shpirtin e bukur gjithë ditët bëhen pranverë.

Nuk është si protezat e reja të vëna te dentist

Që me një grusht me euro mund t;i bësh dhe prej ari

Oh, ai është si fidani i shëndetshëm i një fisi

Në të tjera vise ku kryembret është malli.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT