Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritNexhat Ajdini-LAMTUMIRË, DJEMTË E MI

Nexhat Ajdini-LAMTUMIRË, DJEMTË E MI

Ikën pushimet, erdhi ndarja,
udha e gurbetit sërish u hap,
me valixhe e shpresë mbi supe,
Gjermania ju thërret prapë.

Mirardhshi, bijtë e mi të dashur,
me lot në sy ju përcjell shtëpia,
babë e nënë mbetën në prag,
zemrën dhe fjalën e theu mërzia.

Nëna ju bekoi me dorën që dridhej,
lotët i fshehu nën shamin e saj,
pa folur asgjë, babai uli kryet
burrat nuk lotojnë, në shpirt kanë vaj.

Përballë autobusit u ndal dhe  koha,
zemrat e trazuara drithërojnë pa prâ,
një përqafim i fundit mbeti amanet,
një “kujdesu për vete” me mallë u tha.

Valixhet u rreshtuan si plagë në tokë,
mbi asfaltin ngjyrë hiri lotët vërshuan,
autobusi u nis, dritaret avulloheshin,
dhembja del si lavë, sepse bijtë shkuan.

Gruaja mbeti te dera pa bërë zë,
me zemrën gjysmë të thyer në gji,
fëmija pyet me dy sy të përlotur:
“Babi, pse po shkon pa mua sot ti?”

E përgjigjja u mbyt në fyt si mullâ,
si gur i ngulitur në dheun mëmë,
s’ ka se si t’ia shpjegosh fëmijës,
se buka fitohet kur botën e zëmë.

Ju ikët, por ëndrrat lëshojnë shtat
për jetë më të lehtë, të ngryset rinia,
sa për të mbajtur gjallë shtëpinë,
për të mos e ulur kokën nga varfëria.

Rruga është e gjatë, malli fort rëndon,
netët shkojnë pa gjumë, ditët pa fjalë,
puna e rëndë dhe shtatin ua dërmon
askush s’ i pyet për ftohtë e  për valë.

Atje numërohen orët kur balli djersitet,
këtu ditët digjen me flakë  dhe mall,
një telefonatë na bëhet ngushëllim,
një zë nga larg,  ilaç për çdo hall.

Shtëpia mbetet bosh pa hapat tuaj,
oborri hesht, dera s’kërcet më,
karrigen ku ulet sot babai juaj,
trishtimi dhe vetmia atë seç e zë.

Mos e harroni kurrë gjuhën e nënës,
as fjalën “djalë” që babai  ju thërret,
se atdheu nuk është veç tokë,
është plagë që melhemin e pret.

Lam­tumirë për sot, jo përgjithmonë,
se ikja nga ne është shpatë e mprehtë,
një ditë do të hapen dyert sërish
me buzëqeshje, jo me lot të fshehtë.

Kjo tokë ju mban me mall të gjallë,
me lutje nate e dritë shprese,
deri ditën kur do të thotë me zë:
“Mirë se u ktheve,  ti, o flad vese!”

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT