Wednesday, December 24, 2025
BallinaVitrina e libritNexhat Ajdini-PSE JANË VERBUAR SHKRIMTARËT?

Nexhat Ajdini-PSE JANË VERBUAR SHKRIMTARËT?

Shkrimtarët nuk janë verbuar nga mungesa e talentit, por nga dritat e rreme të konkurseve letrare. Ata shohin qartë, por bëjnë sikur nuk shohin, sepse e dinë: fituesit janë caktuar para se të hapen zarfet.
Konkursi hapet për “të gjithë”, por podiumi është privat. Tre vendet e para nuk fitohen me vepër, por me emër, me kafe të pirë më herët, me miqësi të vjetra. Juria lexon pak, njeh shumë dhe vendos shpejt. Pena matet jo nga pesha e fjalës, por nga afërsia me tavolinën e jurisë.
Shkrimtari i ndershëm dërgon krijimin me shpresë, ndërsa juria shpërndan çmime si dhurata feste për shokë e miq. Talenti mbetet rezervë, ndërsa mediokriteti kurorëzohet fitues. Dhe pastaj pyesim pse letërsia nuk ecën përpara.
Këto konkurse nuk verbojnë sytë, por ndërgjegjen. Ato mësojnë shkrimtarin të heshtë, të dorëzohet, ose të bëhet pjesë e rrethit, sepse ndryshe mbetet jashtë. Kjo është verbëria më e rrezikshme: kur e sheh padrejtësinë dhe prapë vazhdon të luash lojën.
Letërsia nuk ka nevojë për juri që shpërblejnë miqësinë, por për guxim moral. Derisa çmimet të ndahen nëpër tavolina e jo nëpër faqe librash, shkrimtarët do të vazhdojnë të “verbohen” jo nga errësira, por nga hipokrizia e ndriçuar me diploma dhe vula zyrtare.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT