I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ai do të ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. “Piktori i Popullit” ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, më 1919.
Më 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta artisti Nikollë Idromeno. U lind më 15 gusht 1860 në Shkodër. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.
Një nga veprat më të dalluara të Koli Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës.
Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku nga Postriba”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës. Risitë që ai pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke filluar me realizmin e nga laicizmi, i përfaqësuar si te “Motra Tone” deri te “Plaku nga Postriba”.
Ai u bë i njohur edhe si arktitekt. “Dugajt’ e reja” në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qëndrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos.
Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, e tërhiqte mjaft fotografia, që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Në studio, në atë kohë punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua shpejt, por për një kohë të shkurtër, sepse më 1881, ai vdes.
Ishte kjo periudha që do të ngjizej miqësia mes familjeve Marubi dhe Idromeno, që vazhdoi për një kohë të gjatë. Kol Idromeno i firmoste veprat e tij, si Nikolla Idromeno. Më 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit; pra, për Idromenon nuk diskutohet vetëm në rrafshin artistik. Ai qe edhe një patrioti i madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë.
Idromenot vinin nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës, për t’u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e ”Ungjillit sipas Matheut” dhe ”Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.
Më 1856, Arseni u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij si marangoz e drugdhendës, si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj te Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu Illyricum dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozën e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858.
