Sunday, December 28, 2025
BallinaVitrina e libritNikollë Loka-Do ta mbajmë frymën

Nikollë Loka-Do ta mbajmë frymën

Do ta mbajmë frymën

Do ta mbajmë frymën dhe jeta do të vazhdojë,
gjaku nuk do të na ngrijë ndër vena,
as hapin nuk do ta ndalojmë!
Në mungesë të urave,
mbi hone do të kalojnë zemrat,
deri përtej,
në brigje të reja që vjetërohen një nga një,
te i fundit breg që na lë!
Atëherë s’kemi ku të kapërcejmë,
s’ka më brigje,
veç një tundim i vjetër na zë,
jetës t’ia hapim shtigjet…

S’ka më vend ku të lidhen fjalët!
Të shtërngon këmisha në shtat,
ikja nga çdo vend ku ndodhesh,
rrallimi i ajrit,
një zhvendosje e pamend horizontesh.
Të shtërngon ndjesia e qënies bosh,
keqkuptimi midis mendimeve dhe fjalëve,
shprehjet pa vend ashtu të hedhura kot,
ngadalësia e ecjes,
në atë shpejtësinë e valëve.
Të shtërngojnë hapat që ndërrohen ngadalë,
momentet kur mendimi humb,
fjala që thyhet si arrë e del bosh,
se mendimin nuk e kishte ruajt!
Të shtërngon fjala që s’të bie ndërmend,
sa ndihesh ngushtë shumë gjatë…
Në një hapësirë të gjërë ku gjykimi humb,
s’ka më vend ku të lidhen fjalët!

Kohë që të mban para pasqyrës

Çaste prej dallgësh e prej brigjesh,
hapit të parë, vrapit dhe ngjitjes,
pastaj rënie të lira në ajër,
rrëzim e rrokullisje…
Çaste në momente hutimesh,
fishekzjarre që mbyten në ujë,
luhatje të pashpjegueshme të shpirtërave,…
ritme hapash të idhta mbi urë,
kapërcime stinësh…
Vranësirë e syve tu në sytë e huaj,
kohë që të mban para pasqyrës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT