Monday, February 16, 2026
BallinaVitrina e libritNikollë Loka-Poshtë ballkonit

Nikollë Loka-Poshtë ballkonit

Hijet e mbrëmjes bien pjerrtas deri te shkallët,
poshtë ballkonit janë shkurret, janë drurët janë honet,
poshtë ballkonit janë ftonjët,
janë mollët.
janë muzat, janë krojet,
janë dallgët e Jonit.
Hije pas hije deri te shpati i fundit,
janë druajtjet, dridhjet, shirat,
mëdyshjet,
ekuacionet…
Janë dimrat,
janë rëniet,
janë ngritjet…
Poshtë ballkonit janë muzat,
në degët e ftoit
janë duart,
që për ty ia këpusin lulet limonit.

Ujë i mirë

Thonë nuk rrjedh askund i njëjti ujë,
po s’ke si ta njohësh atë ujin që ti doje,
në mbrëmje ujëvara kapërcen në delir,
dhe merr pak diell,
pak perëndim, një premtim e një fjalë goje.
Thonë se në darkë gjen prehje ujë i mirë,
dhe sjell krejt brishtësinë e bjeshkës,
për një kohë lutje,
një dëshirë,
nën hije krojesh
që fshehin magjinë e së djeshmes…
Pastaj ikin të gjitha,…
për tu rikthyer të nesërmen sërish…
Në të njëjtën stinë me Doruntinat,
vijnë ndjenja nëpër ujë,
frymëzimet, dobësitë…

Shpirti im

E di se shpesh ke mbetur vetëm,
si e ke ndjerë vetminë nuk e di!
Ke provuar humnera e përpjekje,
kur unë nuk mund të ecja
e ti nuk mund të rrije…
Shpesh unë nuk mund ta zgjasja dorēn,
as ti nuk mund të më pyesje si e qysh,
sot nuk do t’i gërvish plagët që more,
as ti mos të më shohësh dhembshurisht!
E di se do të harrohemi si koha,
që rend pas gjurmëve të veta më kot…
Shpirt i bjerrur lartësive e ke shterrur ëndrrën,
atë ëndrrën që s’mund ta zbresësh dot!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT