N’stol yjesh,
i hedhi një sy globit—
lodrës së vjetër të fëmijëve të parritur.
Lë shenja gishtash
pranë gjurmëve vetmitare,
i jap rrotullime prapa
në orbitën e të gjithë fateve
që amullt zgjoheshin e flinin.
Koha zhbëhet-
pasqyrë që ndan sytë e një fytyre,
cifla që bijnë n’netët që s’i ftoi muzgu
e që as vetë nuk e ftonin agimin.
Para një shekulli,
flakët e prekjeve
shkrinin hekurat e zinxhirëve
që na mbanin robëruar.
Para dy shekujsh
shëtisnim dorë për dore
në parkun plot mënjolla.
Ato tani shqyejnë pupla avujsh.
Në mijëvjeçarin e kaluar,
të flashkur kishim mbetur
mes katër mureve të mallit.
Në atë tjetrin
kishim qenë e njëjta zemër
që vdiste e rilindte
në thellësinë e trekëndëshit të ujshëm.
I jepte formë këngës,
pendimit
dhe zjarrit.
Herë arush në raftin prej ylberi,
herë pipë duhani poshtë mustaqesh,
herë fije e gjatë floku që joshë edhe erën-
ne ishim nomadë
n’ishull t’përqafimit.
Që nga shikimi i parë,
frymëmarrjet tona
ishin fotografi
të cilat ruanin hije portretesh .
Mburojë
e harrimiit të plagosur
nga tërheqja e shpirtrave pa trup.
Zëra t’përhumbur mes jehonave t’vetvetes.
Herë bekimet bëheshin mëkate,
herë mëkatet bekime
e mes rrotullimesh kujtimet s’i zhduke.
Herë ti bëheshe unë,
herë unë bëhesha ti,
o përjetësia ime e kuqe.
