Friday, December 26, 2025
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Dashuria mbetet thëngjill nën hi.

Pajtim Xhelo-Dashuria mbetet thëngjill nën hi.

Dashuria mbetet thëngjill nën hi.
Thonë që dashuria është zjarr,
Veç zjarrit, po t’i afrohesh, të djeg,
I ngjan një cikloni ngatërrestar,
Vorbullës të mban, s’të hap asnjë shteg.


O mik, kur pamë lart të ngrihen flakët,
Si diell që përskuq në perëndim,
Çelëm zemrat, si në agim zambakët,
Dhe u ngritëm mbi veten me guxim

.
Rini, rini, të duket ëndër jeta,
Pa asaj ëndre i beson, për dreq,
Ajo të rrëmben mbi krahët e veta,
Yllësive të tjera të tërheq.


Si kashtë ndizet shpirt’ i dashuruar,
Veç flak’ e kashtës është lozonjare,
Një çast feks, fërgëllon, pastaj e shuar,
Mbetet heshtur një nxitje gënjeshtare.


Humbur flaka dhe zjarri është shuar,
S’mbeti asgjë kur iku një ciklon,
I ftohtë hiri, për të na kujtuar,
Çdo diell që lind, edhe perëndon.


Flaka të ngroh, po edhe të verbon,
Zjarri të ndez, po shuhet edhe vet,
Asnjë dashuri gjatë nuk jeton,
Dhe yjet që shuhen, hiri i pret.


Mos gënje veten ti muzg i trishtuar,
Vetëm Zoti është përjetësi,
Si çdo yll është ndezur dhe shuar,
Dashuria mbetet thëngjill nën hi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT